USAID ndan 8.5 milion dollarë për Programin e të Drejtave Pronësore
Prishtinë, 15 maj Agjencioni i Shteteve te Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar është duke nisur Programin e të Drejtave Pronësore, të dizajnuar për të përmirësuar regjimin e të drejtave pronësore në Kosovë, forcuar sundimin e ligjit si dhe rritur zhvillimin ekonomik dhe investimet.
Programi i të Drejtave Pronësore (PDP) i USAID-it është një aktivitet katërvjeçar i cili ka për qëllim adresimin e sfidave në fushën e të drejtës pronësore dhe zhvillimin e një plani për stabilizimin e regjimit të të drejtave pronësore në Kosovë. Programi do të punojë në partneritet me Qeverinë e Kosovës, komunat e zgjedhura dhe palët tjera të interesuara relevante vendore dhe ndërkombëtare.
USAID-i ka ndarë 8.5 milion dollarë amerikan për implementimin e Programit të të Drejtave Pronësore.
Programi i të Drejtave Pronësore i USAID-it do të mbështes katër objektivat vijues:
- koordinimi dhe vendosja më e mirë e prioriteteve të politikave në fushën e të drejtave pronësore, në bashkëpunim të ngushtë me palët e interesuara relevante;
- përmirësimi i proceseve gjyqësore që kanë të bëjnë me kërkesat pronësore;
- rritja e aftësisë së grave për të ushtruar të drejtat e tyre pronësore në praktikë; dhe
- çasja më e madhe në informata dhe të kuptuarit më i mirë i të drejtave pronësore.
Programi i të Drejtave Pronësore i USAID-it do të implementohet nga Tetra Tech.
USAID është agjencion i pavarur i qeverisë federale i cili merr udhëzime të përgjithshme të politikës së jashtme nga Sekretari i Shtetit, ndërsa ofron asistencë ekonomike dhe humanitare anembanë botës për më shumë se 50 vjet. USAID-i këtë vit shënon 15-vjetorin e Partneritetit për Ndryshime Pozitive në Kosovë.