19 Nëntor 2024

USAID-i nderon ndërmarrësit e rinj

Prishtinë, 10 shtator - Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila mori pjesë të martën në ceremoninë përmbyllëse të Programit të Ndërmarrësve të Rinj (YEP) të Misionit të USAID-it në Kosovë, që u zhvillua në Prishtinë.

Në këtë ceremoni, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të USAID-it në Kosovë, ndërmarrësit e rinj, programet përfituese si dhe përfaqësues të institucioneve e shoqërisë civile, Ministria Kusari –Lila vlerësoi lartë rezultatet e aktiviteteve të programit YEP, gjatë implementimit të tij në Kosovë.

Zëvendëskryeministrja tha se kjo ceremoni shënon përmbylljen e tre vjetëve të suksesshme të këtij projekti, i cili, siç u shpreh Kusari-Lila, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, komunitetin e biznesit dhe donatorët e tjerë, kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme dhe kanë arritur suksese të kënaqshme në ofrimin e ndihmës për ndërmarrësit e rinj, hapjen e vendeve të reja të punë, gjenerimin të rritjes ekonomike dhe promovimin e ndërmarrësisë në Kosovë.

“Qëllimi kryesor i projektit YEP të USAID-it ka qenë përkrahja e ndërmarrësve të rinj që të zhvillojnë biznese të reja duke inkurajuar shpirtin e tyre novator dhe të ndërmarrësisë përmes ndihmës financiare dhe teknike."

"Në të njëjtën kohë programi ka ofruar përkrahje të vazhdueshme dhe krijim të rrjetit për ndërmarrësit e ardhshëm në Kosovë, të cilët janë të përgatitur të marrin parasysh rreziqet dhe kënaqësinë që vjen nga fillimi i një biznesi të ri”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se pas tre viteve të një pune të palodhshme, projekti YEP, ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në të gjithë komponentat e tij.

“Programi ka mundësuar që ndërmarrësit e rinj të kenë qasje në kushte të mira kreditore, ndërsa institucionet financiare do të kenë qasje në një grup të bizneseve të reja të përgatitura mirë, të verifikuar e rrjedhimisht me rrezik të ulët, të cilat ofrojnë perspektivë për një zhvillim të fuqishëm”, tha Kusari- Lila.

Zëvendëskryeministrja foli edhe për zhvillimet dhe detyra kryesore për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në mënyrë që të tërhiqen më shumë investime dhe në ngritjen e inovacionit. Ajo po ashtu tha se Kosova ka nevojë për ide të reja, për inovacion, dhe politika ekonomike të cilat për synim kanë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Hajdin Abazi, Zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe  Sportit, ka përshëndetur dhe përgëzuar për punën e deritashme. Abazi tha se MKRS-ja ka hartuar një strategji dhe një plan të veprimit për rini për të cilën në fillim të këtij viti ka marrë aprovimin nga Qeveria e Kosovës.

“Kjo strategji edhe me tutje na mundëson që të rrisim bashkëpunimin me organizatat rinore, donatorët, institucionet e tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe të bashkojmë forcat në të gjitha akteret që kanë për synim forcat e të rinjve, dhe në këtë mënyrë presim të realizojmë shumë objektiva në tre vitet e afërta për ta përmbushur këtë strategji”, tha Zëvendësministri Hajdin Abazi.

Maureen A. Shauket, Drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë, ka thënë se gjatë këtij programi ka njohur shumë njerëz dhe se ky program e ka prekur në zemër. Shauket ka falënderuar në emër të popullit amerikan dhe USAID-it, duke e vlerësuar shumë të suksesshëm këtë program.

“Ky eveniment shënon edhe një hap përpara, ju jeni e ardhmja e këtij vendi, keni kreativitet dhe qëndrueshmëri të madhe”, tha ndër të tjera Drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen A. Shauket.

Në ceremoni me nga një fjalë rasti të pranishmit i kanë përshëndetur edhe përfituesit nga Programi i Ndërmarrësve të Rinj (YEP).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)