USAID do të ndihmoj Kosovën në zhvillimin ekonomik
Prishtinë 3 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten në takim ndihmës administratorin e USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Thomas Melia, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Në takim ishte i pranishëm dhe ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie dhe drejtori i Misionit të USAID-t në Kosovë, James Hope.
Kryeministri Isa Mustafa theksoi progresin e arritur në Kosovë, me përkrahje të fuqishme të USAID-it në zhvillimin ekonomik, ndërtimin e institucioneve demokratike, sundimin e rendit dhe ligjit dhe fusha të tjera.
Duke folur për prioritetet e mëtejme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Mustafa veçoi fokusimin në fuqizimin e sektorit të energjisë, hapjen e vendeve të punës për gratë dhe të rinjtë.
Duke shprehur mirënjohje të thellë për përkrahjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve dhe të USAID-t, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë për avancimin e mëtejmë të partneritetit dhe bashkëpunimit.
Ndihmës administratori i USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Thomas Melia, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e USAID-it për vazhdimin e përkrahjes dhe avancimin e progresit.
Ndihmës administratori Melia, po ashtu, tha se USAID-i do të mbetet i fokusuar për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin ekonomik, duke qenë partneri më i mirë i Kosovës në këto procese.
Gjatë takimit, është biseduar edhe për projektet konkrete të mbështetura nga USAID-i, të cilat po japin rezultate konkrete në zhvillimin e Kosovës si dhe përkrahjen e USAID-it për Kosovën në kuadër të MCC-së.