Unioni i Bizneseve të Diasporës mban Forumin në Tiranë
Tiranë, 25 maj - Pas forumit të suksesshëm në Prishtinë, Unioni global i bizneseve të diasporës, i krijuar me iniciativën e Ministrisë së Diasporës, ka mbajtur edhe konferencën e rradhës në Republikën e Shqipërisë, në Tiranë.
Në këtë forum marrin pjesë rreth 60 afaristë të diasporës që vijnë nga 17 shtete të ndryshme.
Në forumin i cili u organizua në Tiranë, morën pjesë edhe Ministri i Diasporës, z. Valon Murati dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj si përfaqësues i Qeverisë së Shqipërisë.
Ministri Murati në fjalën e tij theksoi se ky rrjet do të shihet si partner i zhvillimit ekonomik të dy vendeve. Ne do të mundohemi që të krijojmë ambientin e kërkuar nga afaristët për investimet e tyre në dy vendet tona, duke bartur kësisoj potencialin si profesional ashtu edhe ekonomik, tha z. Murati.
Nga ana tjetër, ministri Ahmetaj, bëri me dije se pakoja ligjore për mbrojtjen e investimeve të huaja si dhe ndryshimi i legjislacionit aktual si, ligji për partneritetin publiko privat, ligji për turizëm, ligjin për zonat ekonomike si dhe shkurtimi i procedurave burokratike do të jenë joshja më e mirë për investitorët.
Nga Unioni u kërkua që dy qeveritë të hapin rrugën për diasporën Shqiptare, ku kanë shprehur vullnet për të investuar ashtu të jemi të bashkuar si ekonomikisht ashtu edhe në aspektet e tjera shoqërore.