Unia: Zvicra të negociojë një marrëveshje të re me Kosovën
Bernë, 7 korrik - Pas vendimit të Gjykata Federale, si instanca më e lartë e gjyqësisë së Zvicrës që edhe në të ardhmen të mos paguhen pensionet e moshës dhe ato të invaliditetit të kosovarëve që kthehen të jetojnë në Kosovë, ka reaguar sindikata Unia në Bernë.
Unia në një komunikatë për media thotë se Gjykata Federale e Zvicrës me vendimin e sotëm e fuqizon gjendjen e padrejtë ndaj mijëra punëtorëve kosovarë që janë kthyer në Kosovë.
Unia kërkon që Qeveria e Zvicres më në fund të veprojë dhe të negociojë një marrëveshje të re me Kosovën.
Gjyqi Federal në një rast të një kontesti nga fusha e sigurimeve shoqërore ka vendosur që, Marrëveshja me ish Jugosllavinë nuk është e zbatueshme në raport me Kosovën.
Me ketë vendim instanca më e lartë gjyqësore në Zvicër betonon një situatë të mjerueshme, nga e cila i bartin pasojat me mijëra punëtorë, të cilët janë kthyer nga Zvicra në Kosovë.
Që nga marsi 2010 me mijëra punëtorë nuk marrin më pensionet e pleqërisë, apo atë të invaliditetit edhe nëse në Zvicër me dekada të tëra kanë paguar kontribute.
Gjithashtu që nga kjo kohë nuk janë paguar edhe shtesat e fëmijëve për fëmijët që jetojnë në Kosovë, thuhet në komunikatën e Unia-s.
Kjo situatë është e padrejtë dhe e papranueshme, thotë Unia.
Në Zvicër të gjithë punëmarrësit paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore. Me këtë fitohet e drejta për siguri sociale, e cila duhet të vlejë njësoj për të gjithë.
Andaj, Unia kërkon nga qeveria federale që më në fund ti përvishet punës për zgjidhje korrekte të këtij problemi dhe pa vonesë të negociojë një Marrëveshje të re me Republikën e Kosovës, thuhet mes tjerash në reagimin e sindikatës Unia të nënshkruar nga Osman Osmani, Seksioni i kontratave dhe politikës së grupeve të interesit në Unia, sektori i migracionit.