12 Nëntor 2024

UNDP dhe JICA lansojnë projektin e ri për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore

Prishtinë, 21 korrik - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjensioni i Japonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) lansuan sot projektin e ri për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore në Kosovë.

Projekti, që është financuar nga qeveria e Japonisë dhe do të implementohet nga UNDP-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme / Agjensioni i Menaxhimit të Emergjencave, u lansua në prani të Andrew Russell, Koordinator i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së, Tatsuro Hayashi, Këshilltar në Ambasadën e Japonisë në Vienë (përgjegjës edhe për Kosovë), Agim Gashi, këshilltar për çështje të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mysafirëve tjerë, njohës të kësaj fushe.

Në fjalën e tij hyrëse, Z. Russell theksoi: „Për shumë vite UNDP ka patur kënaqësinë të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme në fushën e menaxhimin të fatkeqësive, zvogëlimin e rrezikut dhe aktivitetet e rimëkëmbjes dhe pret me padurim vazhdimin e kësaj marrëdhënie të shkëlqyer tani që po fillojmë këtë fazë të re të bashkëpunimit tonë. Ne i jemi shumë mirënjohës qeverisë së Japonisë për mbështetje me këtë projekt të ri. Gjatë 16 viteve të fundit, Japonia ka mbështetur aspekte të ndryshme të rindërtimit të Kosovës përmes UNDP-së, nga mbështetja e mediave të pavarura, rehabilitimi i shkollave dhe ambulantave e deri tek përkrahja në fushën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Në fakt, Japonia është donatori numër një i UNDP-së në Kosovë që nga viti 1999 me një kontribut prej më se 42 milion dollarësh.”

Z. Hayashi nga ambasada japoneze vuri në pah gjendjen aktuale dhe gatishmërinë e qeverisë japoneze te ndihmojë në këtë fushë: “Kosova është një nga vendet më të reja në botë dhe ka treguar përparim të dukshëm në tetë vitet e fundit. Japonia ka kënaqësinë të ndihmojë administratën e Kosovës në zhvillimin e mëtejshëm. Për fat të keq, Kosova ende vuan nga fatkeqësi natyrore të përsëritura, sidomos nga përmbytjet. Japonia ka përvojë të gjerë në menaxhimin e fatkeqësive natyrore për shkak të incidenteve të fundit si tërmeti i vitit 1995 në Kobe ose tërmeti dhe cunami në Tōhoku në vitin 2011. Është një privilegj të kontribuosh për këtë projekt të UNDP-së që do të përmirësojë dhe madje shpëtojë jetën e shumë qytetarëve të Kosovës.”

Agim Gashi, këshilltar për çështje të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme theksoi se sa i rëndësishëm është parandalimi i pasojave nga fatkeqësitë dhe shprehu kënaqësinë e vazhdimit të projektit dhe bashkëpunimit me UNDP-në dhe JICA-në.


Në ngjarje u prezantuan edhe detaje të projektit të ri nga Fumihiko Tominaga si dhe përvoja dhe të gjeturat kryesore nga një trajnim i mbajtur në Japoni ku morri pjesë Alush Beqiri nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent.
 
Projekti që do të zgjasë 2 vjet do të ketë tri komponenta. E para do të jetë puna në 10 komuna të përzgjedhura për vlerësimin e rreziqeve dhe përpilimin e planeve për reagim ndaj fatkeqësive. Komponenta e dytë do të përfshijë ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve qëndrore për të monitoruar dhe raportuar mbi implementimin e strategjisë për zvogëlimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore. Duke marrë parasysh që gruaja ka një rol kyç në menaxhimin e rreziqeve, komponenta e tretë e projektit do të ketë për detyrë ndërtimin e kapaciteteve të grave duke i përgatitur t‘i përgjigjen  në mënyrë të duhur fatkeqësive të mundshme natyrore.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)