Ulja e TVSH-së, zvogëlon çmimet për konsumatorin
Prishtinë, 15 prill - Udhëhequr nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Qeveria e Kosovës mbajti të mërkurën mbledhjen e 23-të.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Mustafa theksoi suksesin e arritur një ditë më parë me nënshkrimin e kontratës ndërmjet Komitetit Drejtues Ndërministror dhe Brezovica Resort LLC.
Uroj të gjithë akterët që kanë punuar deri më tani në përgatitjen e kontratës lidhur me investimet në Brezovicë, që do të hapë mundësi të mëdha zhvillimore, edhe për turizmin, por edhe për punësimin e njerëzve, jo vetëm në atë pjesë, por edhe në pjesë të tjera, sepse është një fushëveprim që ndërlidh shumë sektorë të veprimtarisë.
\"Kjo flet se ne ngadalë po fitojmë besimin e investitorëve të jashtëm. Shpresoj se me masat të cilat po i marrim tani, do të arrijmë që të kemi edhe më shumë investitorë, si me masat të cilat i kemi marrë në fushën e politikave fiskale, ashtu edhe masat të cila do ti marrim më tutje në zgjidhjet më të mira që do ti bëjmë përmes kornizës ligjore, e cila do të mundësojë ardhje dhe tërheqje më të madhe të investitorëve të jashtëm dhe besim më të madh të tyre në Kosovë dhe në institucionet e Republikës së Kosovës, theksoi kryeministri Isa Mustafa.
Kryeministri më tutje e konsideroi hap shumë të mirë edhe propozimin që është bërë nga Ministria e Financave, përkatësisht Qeveria e Republikës së Kosovës, lidhur me ndryshimet në tatimet e caktuara, sidomos në TVSH-në për produktet elementare, përfshirë edhe energjinë elektrike.
Me të kemi zvogëluar TVSH-në 8 për qind nga 16 për qind, që do të thotë se drejtpërdrejt kemi ndikuar në zvogëlimin e çmimit për konsumatorin, por edhe për ekonomitë dhe është një faktor shumë i rëndësishëm i nxitjes së zhvillimit të ekonomisë dhe do të vazhdojmë më tutje me konstituimin e Fondit për Zhvillim dhe institucioneve tjera zhvillimore, në mënyrë që të zgjidhim problemet aktuale, me të cilat sot ballafaqohen qytetarët dhe popullsia e Kosovës.
Këto çështje duhet ti zgjidhim në institucionet e Republikës së Kosovës, përmes ministrive përkatëse, përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nuk ka asnjë arsye që zgjidhja e tyre të kërkohet në rrugë dhe jashtë institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse këtë shtet e kemi ndërtuar me qasje institucionale dhe përkrahje të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Prandaj, kjo përkrahje do të jetë në forcimin e institucioneve tona, në forcimin e besimit, sidomos për fushat vitale të cilat mbështesin zhvillimin ekonomik, siç është sektori bankar, gjyqet dhe institucionet gjyqësore, të cilat në të ardhmen do të jenë më efikase në zgjidhjen e lëndëve edhe të ekonomisë edhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Prandaj, shpreh bindjen time dhe të Qeverisë se problemet aktuale në Kosovë, të cilat ekzistojnë në një situatë të tillë të tranzicionit që po e bëjmë tani, duhet ti zgjidhim brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, do ti zgjidhim me vullnetin e qytetarëve të saj, sepse ky vullnet është treguar në zgjedhjet e fundit. Të gjitha institucionet, edhe qytetarët e kanë pranuar votën e lirë të qytetarëve si instrument kryesor demokratik, i cili do të jetë instrumenti i vetëm, i cili do të na udhëheq neve në zgjidhjen e çështjeve në të ardhmen dhe në punën tonë që do ta bëjmë si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si institucione të saj, theksoi kryeministri Isa Mustafa.
Në vazhdim të mbledhjes, pika e parë që u miratua nga Qeveria e Kosovës ishte Projektligji për procedurën e përgjithshme administrative, i cili ka për qëllim të sigurojë realizimin efektiv të autoritetit publik në shërbim të interesit publik, duke garantuar në të njëjtën kohë mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave juridike të personave.
Kabineti qeveritar aprovoi edhe Projekt-rregulloren për Regjistrin Qendror të Llojeve të Lejeve të Licencave. Me këtë rregullore përcaktohen procedurat për themelimin, administrimin dhe funksionimin e Regjistrit qendror të lejeve dhe licencave në nivelin qendror të Republikës së Kosovës.
U aprovua edhe Projekt-rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Shëndetësisë, që ka për qëllim përcaktimin e organizimit të brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve tjera të administratës shtetërore nën mbikëqyrjen e saj.
Qeveria miratoi edhe koncept-dokumentet për performancën e energjisë në ndërtesa, dhe për veprimtarinë hidrometeorologjike.
Strategjia e Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike 2015-2019, u miratua në mbledhjen e sotme, që ka për objektiv që Qeveria e Kosovës të përmirësoj, fuqizoj dhe standardizoj edhe më tutje bazën ligjore dhe organizative, në nivel qendror dhe lokal që të ngritë përgjegjësinë për shpenzim të fondeve publike në mënyrë ekonomike, efikase, efektive si dhe ruajtje të pasurisë publike në pajtueshmëri me ligjet.
Po ashtu u mor vendimi për përjashtimin nga fushëveprimi i Ligjit Nr. 04/ L-042, për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës për vendosjen e sistemit të kamerave vëzhguese dhe Njohësve Automatik të Targave për Policinë e Kosovës si dhe vendimi për përjashtimin nga fushëveprimi i Ligjit Nr. 04/ L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës për Blerjen e Automjeteve Konfidenciale për Policinë e Kosovës.
Qeveria mori vendim që qytetarëve të Republikës së Kosovës që u ka skaduar vlefshmëria e patentë shoferit dhe të cilët nuk kanë aplikuar për tiu vazhduar vlefshmëria e patentë shoferit, tju lejohet aplikimi për vazhdimin e patentë shoferit.
U miratua në parim nisma për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit për çështjet e Integrimit në BE ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Në parim u aprovua edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillim Mbështetje Institucionale dhe teknike për sistemin e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës.
Zëvendëskryeministri i parë Hashim Thaçi e informoi kabinetin qeveritar, për vizitat që ka zhvilluar në Kroaci dhe Slloveni, takimet me udhëheqësit e dy shteteve si dhe për marrëveshjet dhe bashkëpunimin që ka shteti i Kosovës me këto dy vende dhe mbështetjen që kanë ofruar për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma euroatlantik. Poashtu, në fjalën e tij zëvendëskryeministri Thaçi foli edhe për nënshkrimin e kontratës për Brezovicën dhe për aktualitetin politik.
Zëvendëskryeministri Thaçi tha se Kosova këtë proces e ka kaluar në fillim të këtij viti dhe se jemi lënduar nga zhvillimet, si ajo e demonstratës së dhunshme, por në të njëjtën kohë edhe largimi i njerëzve nga Kosova dhe kjo ka filluar të krijojë një percepcion të gabuar për Kosovën.
Sido që të jetë, edhe paralajmërimet e fundit janë indikatorë se duhet të vazhdojmë këmbëngulësisht në forcimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, të rendit dhe ligjit, të perspektivës evropiane të vendit tonë, sepse kjo çështje ka qenë çështje konsensuale e spektrit politik dhe institucional. Por, duke respektuar opinionet e të gjithë qytetarëve të Kosovës, spektrit politik, vë theks të veçantë se paralajmërimet për të dërguar apo mesazhet tjera politike, në veçanti për të cenuar institucionet e pavarura të vendit tonë, do të dërgojnë mesazhin më të keq të mundshëm për të sotmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Realizimi i të drejtave politike, mund të bëhet përmes procesit të rregullt demokratik zgjedhor dhe jo përmes shantazheve, kërcënimeve apo përpjekjeve të dhunshme për marrjen e pushtetit. Dua të potencoj se paralajmërimi për protestë violente, është mesazhi më i keq i mundshëm për aktualitetin institucional dhe euroatlantik të Kosovës.
Pikërisht në këto ditë kur pritet edhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese të Gjykatës Speciale, të krijohet një situatë e tillë tensionuese në Kosovë, është përpjekje për të mos pasur sukses Kosova në këtë proces, të cilin e kemi dhënë edhe si garancion, edhe Parlamenti i Kosovës për partneritet edhe me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë proces në asnjë rrethanë nuk duhet ta marrim si ndëshkim apo bllokim për shtetin e Kosovës, por si përparësi dhe ecje përpara. Në anën tjetër, synimi i sulmeve ndaj institucioneve të pavarura të drejtësisë, të Gjykatës Kushtetuese, është cenim i drejtpërdrejt i institucioneve të respektuara edhe ndërkombëtarisht të Kosovës.
Synimi për të cenuar dhe sulmuar bankat, në të njëjtën kohë është cenim i institucioneve kredibile të respektuara edhe prej bashkësisë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë synimi për cenuar dhe sulmuar edhe investitorët privat ndërkombëtar, është definitivisht sulmi më i madh që mund ti bëhet investitorëve apo klimës së biznesit në Kosovë dhe frika më e madhe për mundësinë e ardhjes së investitorëve ndërkombëtarë në Kosovë. Kryeministri e përmendi në fillim, dje kishim një sukses të jashtëzakonshëm, nënshkrimin e marrëveshjes për Brezovicën, ku planifikohet investimi i mbi 400 milionë eurove të investitorëve ndërkombëtarë.
Dhe, në këtë moment, sulmi ndaj Gjykatës Kushtetuese, institucioneve të pavarura të drejtësisë, ndaj sistemit bankar, ndaj sektorit privat investues ndërkombëtar, mendoj se do të jetë mesazhi i një klime të keqe për Kosovën dhe mesazhi më i keq i mundshëm për të sotmen dhe të ardhmen zhvillimore euroatlantike për Kosovën.
Gjithashtu edhe rrezikun e vonesës së votimit të Gjykatës Speciale në Parlamentin e Kosovës dhe tendenca e krijimit të kësaj klime tensionuese, paraqet një rrezik permanent, që kjo çështje të kalojë në Këshillin e Sigurimit dhe pastaj institucionet e Kosovës të mbesin në një pozitë tejet të palakmueshme, jashtë vullnetit të tyre, por për shkak të interesave të politikës ditore.
Ne kemi mbajtur zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, transparente, të vlerësuara lartë prej spektrit politik, të pranuara edhe si rezultat zgjedhor, të vlerësuara edhe prej bashkësisë ndërkombëtare, institucionet legjitime që janë funksionale dhe natyrisht duhet kuptuar të gjithë se pushteti fitohet me votë legjitime, me votë popullore dhe jo me metoda të revolucioneve proletare, ka thënë zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.
Ministri Blerand Stavileci ka informuar kabinetin për Kontrollin Ajror në Aeroportin e Prishtinës dhe për dakordimin që ka ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Financave dhe Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për arritjen e një zgjidhje për këtë çështje.