Ulja e tatimit në fitim kishte për qëllim ti ndihmojë biznese
Ulja për gjysmë e tatimit në fitim të korporatave, kishte për qëllim ti ndihmojë këto biznese dhe në këtë mënyrë ekonominë në përgjithësi. Në këtë kuadër, qëllimi ishte të ndikohet në uljen e kamatave, ka thënë këshilltari i lartë në ministrinë e financave, Menderes Ibra.
Them sinqerisht kemi prit që një ulje e tillë domethënëse do të ketë një ndikim në uljen e normave të interesit por me keqardhje mund të konstatohet se deri tash nuk është parë një reagim I tillë nga sektori bankar, tha Ibra për Blue Sky.
Kreu i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu ndërkaq, thotë se kjo çështje duhet të trajtohet në instanca më të larta, pasi që ka qenë një ulje që ka pasur ndikim në buxhet.
Është e vërtetë që me presionet e Odës Ekonomike dhe të Shoqatave të ndryshme është ulë tatimi në fitim në 10% me të vetmin qëllim që edhe kamatat të ulen jo ndoshta në shkallën 10%, por të kenë një përqindje të uljes së kamatave. Mirëpo, pse nuk ndodhë diçka e tillë, me siguri është një temë që duhet të debatohet në rend të parë me Ministrinë e Financave dhe në rend të dytë me Bankën qendrore që ka rolin kyç monitorimi të Bankave komerciale në Kosovë, tha ai.
Sipas Gërxhaliut, Kosova është vendi i vetëm në Europë dhe më gjerë që bankat arrijnë fitime enorme në kurriz të biznesit, kurse vet biznesi nuk zhvillohet me përkrahje nga bankat. Bankat i kritikon edhe Drejtori i Qendrës për Hulumtime Ibrahim Rexhepi.
Diferenca mes kamatave hyrëse dhe dalëse nuk ka ndryshuar pothuajse nga viti 2004. Bankat po shesim pare, po krijojnë fitim dhe nuk janë në procesin e ndihmës apo të financimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, theksoi Rexhepi.
Nga shumë banka komerciale që operojnë në Kosovë, ishte vetëm BKT që ka ulë normën e interesit në kredi personale, edhe atë para rreth dy javësh.(rtk)