03 Maj 2024

Ulet me tre shkallë vlerësimi i sovaranitetit ekonomik të Greqisë

Athinë, 8 mars - Agjencia e vlerësimit "Moody's Investors Service" njoftoi sot se ka ulur me tre shkallë notën e sovranitetit ekonomik të Greqisë, nga B1 kundër Ba1 që ishte më parë, si dhe paralajmëroi ulje të mëtejshme të këtij vlerësimi, për shkak të vështirësive ekonomike të vazhdueshme dhe rrezikut për pamundësi shlyerje të detyrimeve.

Agjencia vlerëson se procesi i forcimit buxhetor në Greqi mbetet "tepër ambicioz", megjithë progreset e arritura, ku shteti grek vazhdon të hasë "vështirësi të konsiderueshme" në mbledhjen e të ardhurave, gjë që justifikon uljen e vlerësimit ekonomik të vendit.

Nota B1 jepet për huamarrësit që paraqesin "një garanci të ulët rimbursimi afatgjatë".

"Moody's", një nga tre agjencitë e mëdha të vlerësimit në botë, gjykon në këtë mënyrë se rreziku i një ristrukturimi të borxhit të saj nuk mund të përjashtohet pas vitit 2013, për shkak të kushteve shtesë, që mund të vendosë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe partnerët europianë të Greqisë për t'i rinovuar ndihmën.

"Mundësia e një mos-shlyerjeje apo një këmbimi borxhi është rritur që prej uljes së fundit të vlerësimit të sovranitetit ekonomik të Greqisë në qershor 2010", sipas Moody's. Megjithatë, skenari qendror mbi të cilin bazohet agjencia mbetet që "garantët e obligacioneve greke nuk do të përballojnë dot humbjet" e mundshme, edhe pse kjo mundësi nuk shmanget totalisht.

Përballë këtyre rreziqeve, agjencia ka vendosur kështu të ndërthurë vlerësimin e saj me një perspektivë negative, gjë që do të thotë që rreziku i një degradimi tjetër vitin që vjen nuk përjashtohet.

"Rreziqet që shoqërojnë zbatimin e programit ekonomik të reformave mund të rriten dhe një zgjidhje, e cila parashikon që huamarrësit privatë të përballojnë një pjesë të humbjeve, mund të bëhet më tërheqëse për Athinën dhe evropianët".

"Moody's" kishte njoftuar më 16 dhjetor se parashikonte sërish një ulje të vlerësimit për Greqinë, për shkak të vështirësive të hasura nga ky vend në drejtim të reduktimit të borxhit të tij të lartë.

Qeveria socialiste e Athinës ka parashikuar dyfishim të përpjekjeve për vitin 2011 që të arrijë limitet e planeve të miratuar me BE-në dhe FMN-në, duke parashikuar kryesisht kursime buxhetore prej 14 miliardë eurosh për të reduktuar deficitin në 7,4 për qind të PBB-së në fund të vitit 2011, ndërsa ulja e borxhit, që pritet të arrijë kulmin me 152,6 për qind, mund të nisë vetëm duke filluar nga viti 2012. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)