Ulet borxhi publik i Shqipërisë
Prishtinë, 8 shkurt - Borxhi publik shënoi vitin e kaluar uljen e parë, pas 5 vitesh rritjeje të njëpasnjëshme.
Të dhënat zyrtare tregojnë se detyrimet e qeverisë ranë në 71 për qind e prodhimit kombëtar, nga 72.7 për qind që ishin në vitin 2015.
Borxhi publik më në fund është duke hyrë në trajektoren e tij rënëse, duke filluar që nga viti i kaluar, për të shkuar drejt një niveli që është më i përshtatshëm për vende si Shqipëria, nën 60%, e në një kohë më të gjatë pranë 50 përqindëshit të PBB-së ose nën tij, tha Erjon Luçi.
Sipas Ministrisë së Financave, ulja e borxhit është e domosdoshme për të shmangur rreziqet e mëdha që ai sjell për ekonominë.
Rreziku i parë është që të falimentosh në aspektin e pagesave, skenar që e kemi parë edhe në të kaluarën kur u grumbulluan një pjesë jo e vogël detyrimesh të prapambetura, gjë që të detyron të mos marrësh nga tregu huamarrje të mjaftueshme për të përballuar faturat, tha më tej Luçi.
Arsyeja e dytë, se përse borxhi i lartë dëmton ekonominë, janë interesat që qeveria paguan për të, të cilat në kulmin e krizës gati barazuan shumën e investimeve publike.
Ne kemi pasur historikisht një nivel interesash mbi 4 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë që një nivel i mirë do të ishte diçka rreth 1 për qind e PBB-së. Kjo do të çlironte 3 deri në 4 për qind të prodhimit kombëtar për shpenzime të tjera publike, theksoi Erjon Luçi.
Me propozim të Ministrisë së Financave, Parlamenti miratoi një ligj që e detyron qeverinë ta ulë borxhin publik nga viti në vit, derisa ai të arrijë në 45 për qind e prodhimit kombëtar.