Ulen çmimet e Prodhimeve Blegtorale
Prishtinë, 15 maj - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi TM1 2015 (2010 = 100).
Për të bërë krahasime dhe për ti vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e parë (TM1) të viteve 2010 2015.
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma, dhe vendet tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Prodhimet të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale.
Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.
Në kuadër të blegtorisë çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Po ashtu, në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për qumësht, vezë dhe mjaltë.
Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.
Në tremujorin e parë të vitit 2015 Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve Blegtorale ka rënie për
(-8.0%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Kurse, Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve Bimore ka rënie për (-8.2%) në tremujorin e parë të vitit 2015, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Ndërkaq, Indeksi total i Prodhimeve Bujqësore ka rënie për (-8.0%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.