Uji në Komunën e Shtimes mund të përdoret për pije
Shtime, 9 janar - Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina ka njoftuar se bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë përcjellë me shqetësim dhe vëmendje të shtuar situatën e krijuar së fundmi në Republikën e Kosovës, respektivisht në Komunën e Shtimes si zonë e shërbimit të kompanisë, pas vërshimeve nga reshjet e dendura atmosferike, duke u ofruar në vazhdimësi qytetarëve mbështetje dhe përkrahje maksimale.
Më 7 janar 2016, KUR Prishtina kishte funksionalizuar prodhimin e ujit për Komunën e Shtimes, pas ndërprerjes një ditore të furnizimit, duke u sugjeruar konsumatorëve që ujin para se ta përdorin për pije, ta vlojnë atë, për shkaqe sigurie të shëndetit publik, deri në njoftimin e radhës.
Gjatë ditës së sotme, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në bashkëpunim me Departamentin e Kualitetit të Ujit në kuadër të KURPrishtina pas marjes së mostrave të ujit dhe analizimit të tyre në laboratorin fiziko-kimik dhe bakteriologjik dy ditë radhazi, dalin me rekomandim përfundimtar, se uji në Komunën e Shtimes mund të përdoret për pije, pasi që rezultatet e analizave janë brenda Standardeve të Udhëzimit Administrativ 16/2012 - Cilësia e ujit për konsum njërëzor.