Udhëheqësit e BE-së, përqëndrohen te stabiliteti i euros
Bruksel, 5 shkurt - Udhëheqësit e Bashkimit Evropian të mbledhur në Bruksel po përqëndrohen për të krijuar stabilitet për euron përmes bashkëpunimit të 17 vendeve që përdorin monedhën.
Në takimin e nivelit të lartë sot, udhëheqësit nga Franca dhe Gjermania ofruan një propozim që bën thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve që përdorin euron në atë që ata e quajtën paketa bashkëkohore për të zgjidhur çështjet e borxhit që ka prekur rajonin gjatë viteve të fundit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel u tha gazetarëve se vendet e zonës së euros duhet të shtojnë aftësitë konkuruese dhe në të njëjtën kohë të rriten së bashku.
"Mes vendeve me monedhën e përbashkët ekziston një unitet për një pakt të tillë", tha kancelarja Angela Merkel pas samitit të BE-së në Bruksel.
Ajo e kishte propozuar një pakt të tillë së bashku me presidentin francez Nicolas Sarkozy. Hollësitë e kësaj marrëveshjeje do të diskutohen në nja takim të vendeve të euro-zonës në mars.
Propozimet e bëra bëjnë të mundur frenimin e borxhit si në Gjermani, si dhe standarte të përbashkëta për tatimet e sipërmarrjeve, për shpenzimet lidhur me risitë dhe moshën e daljes në pension.
Takimi i nivelit të lartë po shqyrton propozime për të fuqizuar fondin e BE për ndihmën ndaj vendeve që rrezikohen nga borxhet.
Vitin e kaluar, vendet që përdorin euron krijuan një fond prej 600 miliardë dollarësh për të ndihmuar vendet që kërkojnë të sigurojnë para për të financuar operacionet e tyre qeveritare. Por vetëm pak më shumë se gjysma e kësaj shume është tani në dispozicion për të dhënë hua.
Nderkaq Kryeministri belg Yves Leterme deklaroi se nuk është aspak dakord me një propozim franko-gjerman për koordinim më të madh të politikave ekonomike në vendet e Zonës Euro, që kërkon heqjen e indeksimit të pagave në vendin e tij.
"Duhet të ketë më tepër bashkëpunim ekonomik në Europë, por vendet anëtare duhet të kenë hapësirë për të zhvilluar politikat e tyre", deklaroi Yves Leterme, gjatë mbërritjes në samitin e drejtuesve europianë në Bruksel.
"Nuk jam kundër një konvergjenvë ekonomike, por ne duhet të lëmë në duart e secilit vend mënyrën për ta arritur këtë", shtoi ai.
"Çdo vend anëtar ka prioritetet e tij, traditat e tij. Ne nuk do të pranojnë ndryshimin e modelit tonë social", tha ai.