U përuruan dy shtëpi të reja në veri të Mitrovicës
Mitrovicë, 23 janar - Dy shtëpi të reja të rindërtuara në kuadër të aksionit humanitar Ndihmo edhe ti janë përuruar të mërkurën në veri të Mitrovicës.
Shtëpitë, njëra në Lagjen e Boshnjakëve dhe tjetra në Kroin e Vitakut janë rindërtuar me donacionet e kompanisë Salbatring.
Zyrtarët komunalë dhe përfituesit e shtëpive të reja janë shprehur të lumtur për krijimin e mundësive që të zhvendosurit të kthehen në shtëpitë e tyre. Ata zotohen për vazhdimin e procesit të rindërtimit në gjithë veriun.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, falënderoi të gjithë ata që janë duke ndihmuar procesin e rindërtimit në veri.
Jemi në Lagjen e Boshnjakëve në pjesën e thellë të kësaj lagjeje. Ata që e njohin Mitrovicën e dinë se sa thellë ka depërtuar rindërtimi në Mitrovicën veriore. Jemi mirënjohës për kompaninë Salbatring me pronar Hetem Ramadani.
I lumtur për shtëpinë e re në Lagjen e Boshnjakëve shprehet edhe Afrim Kelmendi. Ai thotë se së shpejti do të vendoset me familjen e tij në shtëpinë e rindërtuar.
Kam jetuar me qira edhe e kisha shfrytëzuar rastin me i falënderuar të gjitha që kanë kontribuuar për rindërtimin e kësaj shtëpie. Jemi gjashtë anëtarë në familje.
Mirënjohës për shtëpinë e re në Kroin e Vitakut u shpreh edhe Sherif Shala, i cili deri me tani kishte jetuar në kushte të rënda me tetë anëtarët e tij të familjes.
Ndërsa drejtuesit komunalë sqaruan se deri me tani në kuadër të aksionit humanitar Ndihmo edhe ti janë rindërtuar 20 shtëpi, ndërsa 28 të tjera janë në proces të rindërtimit.