U përurua shtëpia e parë në kuadër të aksionit Ndihmo edhe ti
Mitrovicë, 29 qershor - Është përuruar të premten shtëpia e parë e ndërtuar në veri në kuadër të aksionit humanitar Ndihmo edhe ti.
Në përurimin e kësaj shtëpie në Lagjen e Boshnjakëve që është ndërtuar nga firma Eurondërtimi, ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili ka falënderuar të gjithë ata që janë duke ndihmuar për ndërtim në veri.
Ai ka uruar pronarin e shtëpisë së re, Hilmi Miftari, i cili deri me tani ka jetuar në kushte të rënda. Dua të uroj pronarin e shtëpisë se re dhe të falënderoj të gjithë ata që janë duke ndihmuar për përmirësimin e kushteve të jetës në këtë pjesë të Kosovës.
Kastrati tha se deri me tani kanë nisur të ndërtohen 10 shtëpi në kuadër të aksionit humanitar, duke përfshi edhe një shtëpi që ka nisur të ndërtohet të premten në Kroin e Vitakut nga firma Loshi.
Ai theksoi se për veriun ka filluar një periudhë e re.Është një mbështetje e madhe për veriun e cila ka inkurajuar banorët që të jetojnë në pronat e tyre dhe mos ti shesin ato.
Viteve të fundit janë rindërtuar më shumë se 100 shtëpi në veri me mbështetje të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mirëpo nevoja ende është e madhe meqë janë edhe rreth 250 shtëpi që duhet të rindërtohen.
Me këtë rast ai kërkoi nga ata që kanë premtuar mbështetje financiare për këtë projekt që sa më parë ti alokojnë mjetet e tyre, në mënyrë që sa më shpejt të nis rindërtimi në gjithë veriun.
Drejtori i kompanisë Eurondërtimi, Fatmir Behrami, i cili ka ndërtuar shtëpinë e parë, u shpreh shumë i kënaqur që ka pasur mundësinë që të ndihmoj një familje me shtëpi të re.
Shtëpia ka 70 metra katrorë dhe vlera e saj sillet rreth 20 mijë euro. Shtëpia është kryer për 20 ditë, tha ai.
Shumë i lumtur për ndërtimin e shtëpisë u shpreh përfituesi, Hilmi Miftari. Tha se ka jetuar në kushte të rënda bashkë me fëmijët dhe gruan, por nuk e ka shitur pronën e tij.