U inagurua Qendra për Shërbim të Tatimpaguesve
Prishtinë, 29 maj - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) inauguroi sot Qendrën për Shërbim të Tatimpaguesve, e cila do ti shërbej mbi 28 mijë tatimpaguesve në regjionin e Prishtinës.
Në inaugurimin e kësaj qendre i pranishëm ishte edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza, me çrast tha se Administrata Tatimore e Kosovës, çdo herë është duke treguar rezultate në ofrimin e mundësive për shërbime, edukim dhe deklarim sa më të lehtë.
Hamza, shtoi se funksionalizimi i projekteve të ngjashme si ky, ndihmojnë mjaftë në realizimin e planifikimeve vjetore të të hyrave.
E nga ana tjetër para të pranishmëve, drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Behxhet Haliti, potencoi edhe njëherë se përmirësimi i shërbimeve për tatimpagues, transparenca dhe ngritja e besimit te publiku ndaj ATK-së, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prioritete tona, me këtë rast renovimi këtij objekti dhe krijimi i një Qendre të vetme të shërbimit për tatimpaguesit e Prishtinës, ka qenë një ndër investimet më të nevojshme dhe adekuate që ATK-ja, ka bërë ndonjëherë për Regjionin e Prishtinës.
Veç tjerash, Haliti, falënderoi projektin ESTAK të USAID-it, për asistencën teknike si dhe Ministrin e Financave për inkurajim dhe mbështetjen e vazhdueshme, pa ndihmën e të cilëve do të kishte vështirësi të krijohet një objekt i tillë.
Ndërsa, koordinatorja e projektit për Administratë Tatimore në kuadër të USAID-it, Elizabet Santuqi, ka thënë se askush nuk ka dëshirë të paguajë tatime, as në Amerikë prej nga vjen ajo, por me krijimin e kushteve, tatimpaguesit do të dëshirojnë që një gjë të tillë ta bëjnë pa presion.
Fillimisht, USAID-i, ka qenë i rezervuar për ti ofruar ndihmë Ministrisë së Financave dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Ndërsa, tani jam e kënaqur të shoh se Administrata Tatimore, është duke vazhduar ti zgjerojë kapacitetet e veta profesionale dhe të zhvillohet në një institucion qeveritar më të fuqishëm. Askujt nuk i pëlqen të paguajë tatime, kjo është një gjë e vërtetë në Amerikë. Sigurisht se kjo është edhe në Kosovë. Por ne e bëjmë këtë se ne jemi qytetarë të përgjegjshëm dhe ne e dimë se pa pagim të tatimeve shteti nuk do të mund ti ofrojë shërbimet kritike që janë për popullin e Kosovës, ka thënë ajo.
Inaugurimi i Qendrës për Shërbim të tatimpaguesve është projekt i cili hynë në vazhdën e projekteve të tjera, të cilat përmirësojnë shërbimet si dhe ngrit kapacitetet për përmbushje më të lehtë të obligimeve tatimore.
Administrata Tatimore e Kosovës, gjatë këtij muaji ka lancuar edhe sistemin e Deklarimit Elektronik, ku tatimpaguesit mund të deklarojnë tatimet në çdo kohë pa pasur nevojë për të vizituar ATK-në. Duke filluar nga muaji Prill reformat në regjistrimin e biznesit kanë ndryshuar, ku numri fiskal tani mund të merret në një vend të vetëm.
Gjithashtu, Qendra e Thirrjeve çdo ditë e më shumë është duke treguar produktivitet në punën e saj - të gjitha këto projekte kanë për qëllim që ATK të jenë sa më afër tatimpaguesve.