Tursti, mbyll 2013-en me një kthim të inevstimeve prej 71 milionë euro
Prishtinë, 27 janar - Ministri i Financave Besim Beqaj ka takuar sot përfaqësuesit e Bordit të Kursimeve Pensionale të Kosovës të udhëhequr nga kryetari i Bordit, Ymer Havolli dhe ka shprehur përkrahje për punën e tyre.
Me këtë rast zoti Havolli ka informuar ministrin Beqaj se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës edhe gjatë vitit 2013 vazhdoi me kthim pozitiv nga investimet.
Ai tha se Bordi drejtues dhe menaxhmenti në mënyrë të vazhdueshme janë përkujdesur për interesin e kontribuuesve, diversifikimin e mjeteve pensionale dhe kthimin nga investimet, të cilat janë edhe parime të përcaktuara me ligj.
Viti 2013 u mbyll me një kthim bruto nga investimet prej rreth 71 milionë euro. Në vlerë nominale ky është rezultati më i mirë në fushën e investimeve që FKPK-ja e ka arritur ndonjëherë."
"Vetëm për dy vjetët e fundit, 2012 e 2013, kthimi bruto nga investimet e FKPK-së është rreth 125 milionë euro, tha Havolli.
Ai tha se gjatë 2013-ës ishin 3,567 llogari të reja nga të cilat u tërhoqën mjetet, ndërkohë vlera e mjeteve që në tërësi u tërhoqën gjatë vitit arriti në 10.7 milionë euro.
Numri i përgjithshëm i llogarive me tërheqje prej themelimit të Trustit arriti në 20,503, ndërsa vlera e përgjithshme e tërhequr iu afrua 39 milionë eurove.
Duke përkrahur aktivitetin e Trustit ministri Beqaj theksoi se duhet vazhduar me kujdes të njëjtë me menaxhimin e mjeteve të Trustit dhe u angazhua që të krijohen kushtet ligjore që Trusti të jetë pjesë e tregut primar të bonove të thesarit.