30 Prill 2024

Turqit të interesuar për investime në Kosovë

Ankara, 13 dhjetor - Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Industriale e Ankarasë (OIA) këtë javë në Ankara kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për avancimin, fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy odave.

Memorandumi është nënshkruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe zëvendëskryetari i Odës Industriale të Ankarasë, Onder Bulbuloglu.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, e ka vlerësuar lart kontributin e deritanishëm të dhënë nga Turqia në Kosovë në të gjitha fushat, duke veçuar përkrahjen në ngritjen e kapaciteteve të zhvillimit ekonomik dhe tregtar. Sipas tij, kjo përkrahje ka qenë vendimtare në arritjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ne si dy popuj dhe dy shtete deri më tani kemi treguar se mund të bashkëpunojmë në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Kosova mund ta marrë modelin e zhvillimit ekonomik nga Turqia, pasi tani ky vend është bërë një nga modelet më të mira të zhvillimit të ekonomisë dhe tregtisë në botë”, ka deklaruar Gërxhaliu, duke kërkuar që bashkëpunimi të mos ndalet vetëm në tregti, por të thellohet në fushën e investimeve.

Ai i ka ftuar të gjithë investitorët turq ta vizitojnë Kosovën. “Kosova mund të jetë një urë lidhëse ndërmjet Turqisë dhe Perëndimit, andaj e ftoj biznesin turk t’i shikojë mundësitë për të ardhur në Kosovë. Sot në Kosovë janë disa kompani turke që po bëjnë investime në fusha të ndryshme”, ka theksuar ai.

Ambasadori i Kosovës në Turqi, Bekim Sejdiu, është shprehur shumë i kënaqur me nënshkrimin e memorandumit. “Ju, siç e dini, tani në Kosovë një kompani turke ka nënshkruar kontratë për të investuar miliona euro në Aeroportin e Prishtinës, po ashtu edhe kompania turke ‘Enka’ është duke e ndërtuar autostradën së bashku me kompaninë amerikane ‘Bechtel’. Besoj se kjo është një dëshmi e mirë se Kosova ofron shumë për investime”, është shprehur ai.

Zëvendëskryetari i Odës Industriale të Ankarasë, Onder Bulbuloglu, ka premtuar se do të punojë të rritet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. “Ky memorandum, i cili do t’i forcojë lidhjet ekonomike ndërmjet dy vendeve tona, është një dëshmi shumë e mirë që ne kemi bashkëpunim. Ky delegacion nga Oda Ekonomike e Kosovës, në të cilën bëjnë pjesë edhe një numër i biznesmenëve nga Kosova, tregon përkushtimin dhe vendosmërinë për të bashkëpunuar. Ne do t’i shikojmë se cilat do të jenë mundësitë për të bashkëpunuar sa më shumë”, ka premtuar ai.

Ndërkaq, kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovës, Mustafë Hasani, ka bërë me dije se deri më tani kanë marrë pjesë në shumë vende në të cilat kanë bërë promovimin e mundësisë së investimeve në Kosovë.

Delegacioni i Kosovës gjatë vizitës në Turqi është përbërë nga biznesmenë, të cilët po i shikojnë mundësitë për të shkëmbyer ide dhe për ta avancuar bashkëpunimin me Turqinë. Delegacioni nga Kosova ka vizituar edhe disa zona tregtare në Ankara, siç është edhe Zona Industriale OSTIM në Ankara me pesë mijë firma, të cilat punësojnë deri në 50 mijë persona.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)