Turqia vazhdon përkrahjen për Kosovën
Prishtinë, 21 qershor - Ministri i Financave Besim Beqaj, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Prishtinë Songül Ozan, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe financave.
Ministri Beqaj me këtë rast në emër të Ministrisë së Financave shprehu falënderimin për popullin dhe shtetin turk për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës në forcimin e shtetësisë, njohjes ndërkombëtare, përkrahjen dhe kontributin në lëmin e ekonomisë dhe financave.
Ambasadorja Songül Ozan e përgëzoi Ministrin Beqaj për funksionin e tij të ri si ministër i Financave dhe theksoi se Republika e Turqisë ka qenë dhe është thellë e interesuar që ta përkrah zhvillimin ekonomik të Kosovës, përmes investimeve të drejtpërdrejta dhe theksoi se bizneset turke të cilat zhvillojnë biznes në Kosovë i kontribuojnë zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Ambasadorja Ozan tha se Qeveria e vendit të saj por edhe bizneset janë të interesuara për të dhënë kontributin e vet në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës.
Në takim gjithashtu u bisedua edhe për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik e financiar dhe për një sërë marrëveshjesh të cilat pritet që të finalizohen dhe të nënshkruhen së shpejti ndërmjet dy vendeve.