Turqia merr presidencën e G20-ës
Babaxhani mbajti një konferencë për mediat, ku ka njoftuar marrjen e presidencës nga Turqia. Babaxhan tha se duke filluar që nga dita e sotme (1 dhjetor 2014) Turqia ka marrë presidencën e G20-ës, ndërsa ka theksuar se krijimi i këtij forumi ka si qëllim sigurimin e stabilitetit ekonomik global dhe promovimin e sigurimit të shkëmbimit të pikëpamjeve joformale mes vendeve anëtare.
Babaxhan ka deklaruar se vendimi për themelimin e këtij forumi është marrë në mbledhjen e mbajtur më 25 shtator 1999 në Uashington dhe krahas Turqisë anëtarët e tjerë të G20-s janë: Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Evropian.
Gjatë presidencës turke rëndësi do ti kushtohet luftës me papunësinë, duke shtuar se Turqia do të punojë për të kontribuar edhe ndaj vendeve që mbeten jashtë G20-s, sqaroi zëvendëskryeministri turk.
Babaxhan gjithashtu ka rikujtuar se vendi që merr presidencën e G20-ës ka të drejtë të ftojë 5-6 vende të tjera me cilësinë e vëzhguesit në këtë forum ndërkombëtar. Ai theksoi se Turqia ka ftuar disa vende si Spanjën, Singaporin, Azerbajxhanin, Bashkësinë e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), Unionin Afrikan dhe kryesuesit e lëvizjes me emër Partnerët e rinj për Zhvillimin Afrikan.
Babaxhan ka pohuar se deri tani janë zhvilluar 9 samite dhe se samiti i 10-të do të zhvillohet vitin e ardhshëm më 15-16 nëntor në qytetin e Antaljas. Ai ndër të tjera ka deklaruar se G20 nuk ka një sekretari të përhershme dhe se çdo vit një vend merr presidencën, ku organizon edhe mbledhjet edhe në njëfarë mënyre kryen edhe detyrën e sekretarisë.
Babaxhan u shpreh se detyra e presidencës nuk është vetëm përgatitja e samiteve, por në të njëjtën kohë praktikisht është marrja e të gjitha përgjegjësive teknike për G20 dhe sigurimi i koordinimit mes 20 anëtarëve që përmbën gjithashtu një element të rëndësishëm.
Babaxhani nënvizoi se presidenca e radhës nuk përcaktohet sipas radhës, por me zgjedhje mes anëtarëve të grupit.
Studimet kanë treguar se në rast se vendet e G20-s mbajnë premtimet që kanë dhënë ekonomia botërore mund të rritet me 2%, ka cilësuar Babaxhan duke shtuar se vendet më pak të zhvilluara kanë nevojë për financim dhe një çështje e rëndësishme është gjetja e rrugëve për të siguruar burimet e këtij financimi.