14 Maj 2024

Turqia i ofron mbështetje Kosovës në politikat sociale

Stamboll, 12 prill - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila është duke qëndruar në Turqi, ku u takua me Fatma Şahin, ministre për Familje dhe Politika Sociale në Republikën e Turqisë, me të cilën diskutoi për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të Kosovës dhe Turqisë.

“Bashkëpunimi ekonomik dhe politik në mes Kosovës dhe Turqisë është i shkëlqyer dhe është duke u forcuar gjithnjë e më shumë. Kompanitë e mëdha turke siç janë: ‘‘Enka’’ dhe ‘‘Limak’’, janë prezentë në tregun e Kosovës”, - tha zv.kryeministrja Kusari-Lila.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Kusari Lila kërkoi mbështetje nga Republika e Turqisë për të përcjellë përvojat e qeverisë turke të politikave sociale dhe të barazisë gjinore. “Ne e kemi kuptuar që familja e shëndoshë është themeli i shoqërisë moderne dhe të zhvilluar ekonomikisht. Prandaj ne jemi të interesuar që kërkojmë mbështetjen dhe përvojën e Turqisë për implementimin e politikave të duhura sociale dhe të barazisë gjinore.” 

Ministrja Fatma Şahin, e informoi zv.kryeministren Kusari-Lila për punën që është duke bërë Qeveria e Turqisë për të mbështetur krijimin e familjeve të shëndosha dhe njëkohësisht ofroi mbështetje për Kosovën për të kuptuar përvojat e Turqisë në këtë fushë.

“Ne jemi duke ngritur kujdesin dhe mbështetjen për njerëzit në nevojë, femrat dhe të hendikepuarit, me qëllim që të kemi familje të shëndosha të cilat janë baza e shoqërisë sonë. Po ashtu edukimi i detyrueshëm i femrave, fuqizimi i femrave në biznes dhe lehtësirat fiskale për kompanitë të cilat punësojnë më shumë femra janë pjesë e planit tonë të punës. Në këtë drejtim ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje për zhvillimin dhe implementimin e politikave sociale dhe barazisë gjinore në Kosovë”.

“Nëse ka nevojë” vazhdoi ajo, “ne jemi të gatshëm që të formojmë grupe punuese në mes institucioneve tona me qëllim të mbështetjes së politikave shëndetësore të cilat shkojnë në favor të familjeve të shëndosha.”

Në kuadër të vizitës së saj në Turqi, zv. kryeministrja Kusari – Lila mori pjesë në Samitin Ekonomik Euroaziatik, i cili organizohet çdo vit me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit, Turqisë dhe vendeve të Azisë së Mesme. 

Zonja Kusari-Lila ishte pjesë e panelit të ceremonisë së hapjes këtij Samiti, ku u diskutua për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik në mes vendeve të Euro-Azisë dhe ndikimin financiar të krizës ekonomike globale. Përveç kësaj, ajo foli edhe në panelin “Efikasiteti i Grave në Parlament”, ku tha:

“Trafikimi ndërkombëtar i grave, arsimimi, prezenca jonë në jetën politike, përqindja e punësimit e krahasuar me meshkujt dhe gratë në Evropën Perëndimore, ekonomia joformale, shkalla e varfërisë, dhuna në familje dhe pjesëmarrja në strukturat politike, ende janë probleme dhe sfida me të cilat duhet të ballafaqohemi seriozisht. Unë besoj që këto probleme duhet të jenë në agjendat e të gjitha femrave përfaqësuese në parlamente, sepse aty është vendi i duhur për adresuar këto sfida”.

Në Samitin dy ditor po marrin pjesë një numër i madh i kryeministrave, ministrave, presidentëve dhe ish-presidentëve.  Ky është Samiti i pesëmbëdhjetë me radhë dhe tërheq vëmendjen e një numri të madh të investitorëve potencial në rajon. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)