Turqia do të jetë ekonomia e 12-të më e madhe në botë
Uashington, 23 dhjetor - Në raportin me titull "Fuqitë Ekonomike në Rritje dhe Politikat Tregtare të SHBA-ve" flitet me lëvdata për Turqinë.
Sipas raportit, disa vende në zhvillim janë shndërruar në aktorë të rëndësishëm në ekonominë botërore falë popullsive të tyre të mëdha, rritjeve të shpejta të ekonomive dhe shkëmbimeve tregtare.
Këto fuqi ekonomike në rritje janë respektivisht Kina, Turqia, Brazili, India, Indonezia, Meksika dhe Rusia, bën të ditur raporti i CRS-së dhe sqaron se aktualisht Kina, India, Brazili e Rusia kanë zënë vend ndër ekonomitë më të mëdha të botës, të cilat ndiqen nga afër prej Meksikës, Indonezisë dhe Turqisë, përkatësisht në vend të 11-të, 15-të dhe 16-të.
Shërbimi Kërkimor i Kongresit amerikan parashikon gjithashtu se në vitin 2050 Turqia do të jetë ekonomia e 12-të më e madhe në botë.
Në vijim të raportit thuhet se vendet e sipërcituara, që tashmë u dëgjohet më shumë zëri në ekonominë botërore, do të vendosen më në qendër të vëmendjes së Kongresit të ri të SHBA-ve, që do të fillojë detyrën në muajin janar.
Një nga parashikimet e renditura në këtë raport thekson se eksportuesit dhe investitorët amerikanë do t'u japin përparësi më të madhe 7 vendeve në rritje.
Kurse në pjesën kushtuar Turqisë vlerësohen shifrat e rritjes ekonomike të kësaj të fundit.
Raporti i CRS-së nënvizon se Turqia, falë mesatares 6 për qind të regjistruar mes viteve 2003-2008, rezulton një nga vendet me rritje të qëndrueshme më të madhe në botë.
Përveçse vihet në pah që Turqia do të jetë edhe këtë vit një nga ekonomitë me rritje më të fuqishme në Evropë, në këtë raport zënë vend edhe disa sugjerime.
Shërbimi Kërkimor i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës thekson se Turqia duhet t'i reduktojë shqetësimet nëpërmjet rregullimeve ligjore shtesë, për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj në vend.