Turqia dhe Kosova të gatshme për bashkëpunim
Prishtinë, 23 maj - Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri priti sot në takim kryetarin e Shoqatës së biznesmenëve RUMELİSİAD, z. Şahap Aktaş, i shoqëruar nga delegacioni i grave të kësaj shoqate.
Zëvendëskryeministrja Tahiri inkurajoi biznesmenët nga qyteti i Bursës në veçanti ata me origjinë shqiptare që të investojnë në shtetin e Kosovës, sepse Kosova si shtet i ri ka potenciale të mëdha njerëzore dhe resurse të shumta ekonomike. Krenohemi dhe frymëzohemi me shqiptarët tanë në Turqi, të cilët nuk e harruan origjinën dhe gjakun shqiptar, ndonëse u larguan nga trojet e tyre shumë kohë më parë, theksoi zëvendëskryeministrja Tahiri.
Nga ana e tij z. Aktaş shprehu kënaqësinë për vizitën duke rrëfyer se është me origjinë shqiptare dhe se familja e tij ishte detyruar të largohet për në Turqi në vitin 1924.
Z. Aktaş theksoi angazhimin e Shoqatës RUMELİSİAD, që përmes anëtarëve të saj nga sektori i biznesit të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik e social të shtetit të Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Turqisë dhe u shpreh gatishmëria për të rritur nivelin e këtij bashkëpunimi.