TSR: Pacolli shet pronën e tij për ti fituar zgjedhjet
Cyrich, 17 janar - Kanali zviceran TSR bëri të ditur se multimilioneri zviceran-kosovar, Behgjet Pacolli shet asetet e tij, duke përfshirë edhe selinë e kompanisë së tij në Lugano, për të hyrë përsëri në pushtet në Kosovë.
Me shtetësi të dyfishtë, Behgjet Pacolli është më shumë se kurrë i vendosur për të rifituar vendin e tij në qeverinë kosovare. Kjo është arsyeja pse ai dëshiron të shesë një pjesë të pronës së tij tejet të madhe. Grupi Mabetex, i themeluar nga Behgjet Pacolli në fillim të viteve nëntëdhjeta, ka selinë në Lugano-Paradiso.
Sa për kujtesë, aktivitetet e tij përfshijnë ndërtimin, biznes, media si dhe hotelerinë. Ndërtesa që strehon selinë e tij është e mbuluar me mermer të rrallë, që simbolizon suksesin marramendës të një njeriu të njohur sikur të jetë \"Berlusconi i Ballkanit\" ose \"një emigrant atipik\" dhe i cili thuhet që është kosovari më i pasur në botë, thotë gazetari i TSR-it (Televizioni zviceran), transmeton portali Albinfo.
Ndërtesa madhështore në Lugano është pra në shitje, si dhe një pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të grupit, të udhëhequra pjesërisht nga familja e miliarderit.
Kjo shitje bëhet, thekson gazetari, pikërisht për të ndjekur ëndrrën e tij kosovare, për tu bërë kryeministër i vendit të tij.
Behgjet Pacolli kurrë nuk e ka pranuar situatën që e goditi kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli jokushtetuese zgjedhjen e tij për president të vendit, andaj edhe dëshiron ti përkushtohet krejtësisht zgjedhjes së tij.
Sipas TSR, ai dëshiron të veprojë sa më shpejt. Si dëshmi, vendosja e çmimit, i cili është për një të tretën më i ulët për selinë e Mabetexit.