16 Nëntor 2024

Tsipras sulmon kreditorët ndërkombëtarë

Athinë, 27 qershor - Udhëheqës të Këshillit të Evropës, Francës dhe Gjermanisë thanë se çështja e borxhit grek duhet të zgjidhet në një takim të rëndësishëm të ministrave të financave të Eurozonës të shtunën, pasi bisedimet të enjten përfunduan pa një marrëveshje.

Sot kryeministri grek Alexis Tsipras, i akuzoi kreditorët ndërkombëtarë se po i bëjnë shantazh Greqisë.

Kryeministri grek Alexis Tsipras sulmoi kreditorët ndërkombëtarë duke thënë se parimet e Evropës së bashkuar nuk bazohen tek “shantazhi” dhe se qeveria e tij do të luftojë që palët të respektojnë njera tjetrën:“Parimet e Bashkimit Evropian ishin demokracia, solidariteti, barazia dhe respekti reciprok.\"

\"Këto parime nuk bazohen tek shantazhi dhe ultimatumet dhe sidomos në këto kohë kritike askush nuk ka të drejtë t’i rrezikojë këto parime”.

Dje qeveria greke nuk arriti dot një marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se nuk mbetet shumë kohë për marrëveshjen: “Ne shpresojmë që një marrëveshje do të arrihet të shtunën, dhe e kemi bërë të qartë se takimi i Eurogrupit të shtunën do të ketë një rëndësi vendimtare. Mendoj se kjo lloj gjuhe tregon faktin se koha është shumë e çmuar dhe duhet të punohet shumë për të arritur sukses. Në se ai do të arrihet apo jo, nuk mund ta them tani..”

Protestuesit ndërkohë marshuan para parlamentit grek të shqetësuar se çdo marrëveshje shpëtimi për të siguruar më shumë hua do të përfshijë masa të tjera shtrënguese për të kënaqur kreditorët: “Ne nuk duam marrëveshje të re dhe e vetmja rrugë për popullin grek të mënjanojë varfërinë që na është imponuar nga ata për gjashtë vjetët e fundit – dhe ne kemi vuajtur më shumë se çdo vend tjetër në Evropë gjatë kësaj periudhe – është të kundërshtojmë kreditorët. Për të parë një ditë të bardhë Greqia duhet t’i largojë këto institucione që na kanë sjellë masa shtrënguese, kanë ulur pagat dhe pensionet.” – thotë një banor.

Grekët mund të përballen me masa të tjera shtrënguese nëse qeveria nuk arrin t’i paguajë Fondit Monetar Ndërkombëtar këstin e huasë prej gati 2 miliardë dollarë deri të martën.

Mospagimi mund të detyrojë Greqinë të dalë nga Eurozona dhe të trondisë tregjet evropiane.

Shpresa e vetme e Greqisë është të sigurojë një hua të re prej 8 miliardë dollarësh nga Bashkimi Evropian. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)