Trusti kthen 38 milionë euro nga investimet në gjysmën e parë të vitit
Prishtinë, 23 korrik - Bordi Drejtues dhe Menaxhmenti i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) njofton kontributdhënësit se vetëm në gjysmën e parë të vitit 2015 kursimeve të tyre pensionale i është rritur vlera për 38 milionë euro. Në këtë kthim nga investimet 98% kanë kontribuar investimet në tregjet financiare globale dhe 2% investimet në Kosovë (në fletobligacionet e Qeverisë).
Bordi dhe Menaxhmenti e vlerësojnë këtë rezultat të investimeve mjaft të kënaqshëm, duke gjykuar se ndryshimi i strategjisë investuese dhe shtimi i menaxhuesve të rinj të mjeteve po jep rezultate pozitive. Me këtë rast duam tia rikujtojmë kontributdhënësve se FKPK-ja vazhdon të ketë rritje të vlerës nga investimi i mjeteve, kryesisht në tregjet globale financiare, duke ndikuar që secilit kontributdhënës ti rritet vlera e kursimeve pensionale për 33% prej themelimit e deri më 30 qershor 2015.
Në fund të këtij gjashtëmujori FKPK-ja i kishte të investuara në Letrat me Vlerë të Qeverisë së Kosovës rreth 80 milionë euro. Bordi Drejtues në vazhdimësi ka shprehur gatishmërinë që sa më shumë mjete të investohen në Kosovë por përveç bonove shtetërore nuk ka asnjë mundësi tjetër reale. Pretendimet e bëra publike se Bordi Drejtues mund të kishte investuar në Trepça dhe PTK nuk qëndrojnë. Ligji i ka caktuar qartë instrumentet investuese, kërkesën për likuiditet dhe tregtueshmërinë e këtyre instrumenteve, dhe këto kompani nuk emetojnë instrumente financiare të tregtueshme siç i kërkon ligji.
Po ashtu duam të kumtojmë se Raporti Vjetor 2014 është vlerësuar dhe miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Në të është shpalosur edhe opinioni i auditorit të jashtëm, i cili edhe këtë vit ishte i pastër.
Performanca e investimeve
Investimet e FKPK-së këtë gjashtëmujor janë ndikuar tejet pozitivisht nga përmirësimi i treguesve ekonomikë në SHBA, Azi e Evropë deri në muajin e gjashtë. Ulja e çmimit të naftës i ka dhënë një shtysë të fortë kompanive në uljen e shpenzimeve dhe rritjen e kapaciteteve financiare, duke nxitur rritje ekonomike. Nën anën tjetër, kriza greke e borxheve i ka prekur negativisht tregjet financiare në fund të këtij gjashtëmujori, duke ndikuar në tkurrjen e kthimit nga investimet për këtë periudhë. Por asnjëherë gjatë kësaj periudhe performanca e investimeve të FKPK-së nuk ka qenë e cenuar në atë masë sa të ketë nevojë për ndërhyrje në tërheqjen e investimeve ose rialokimin e tyre. Bordi Drejtues vitin e kaluar e ka implementuar strategjinë e re investuese, e cila ka dhënë prova këto dy vjet se është duke iu përgjigjur mjaft mirë sfidave të reja në tregje.
Vetëm tri vjetët e fundit vlera e mjeteve pensionale nga investimi është rritur bruto për 191 milionë euro ose neto për 178 milionë euro.
Mjetet nën menaxhim
Mjetet nën menaxhim të FKPK-së në fund të gjashtëmujorit të parë iu afruan 1.18 miliardë eurove, me një rritje prej 91 milionë euro për këtë gjysmëviti. Përveç kthimit nga investimet (prej 38 milionë euro) ndikim në shtimin e mjeteve nën menaxhim patën edhe kontributet e reja prej rreth 67 milionë euro.
Gjatë të njëjtës periudhë u shpaguan 11 milionë euro për pensione, dhe 3 milionë për tarifat (investuese dhe operacionale) dhe për rifondime.
Pagesa e pensioneve
Mjetet e dërguara për pagesën e pensioneve këtë gjashtëmujor kapën vlerën e 11 milionë eurove në emër të 4,679 kontribuuesve, ndërsa prej themelimit vlera e pensioneve të shpaguara kaloi shifrën e 64 milionë eurove në emër të 29,227 kontribuuesve.
Mjetet e paalokuara
Në fund të gjysmës së parë të këtij viti ishin 10.4 milionë euro për të cilat FKPK-ja nuk kishte informacion nga punëdhënësit se në emër të kujt i kanë paguar kontributet në llogarinë e FKPK-së. Stafi i FKPK-së, së bashku me ATK-në, është angazhuar që të identifikohen pronarët e këtyre mjeteve, gjë që ka ndikuar në identifikimin e mbi 30 milionë eurove që nga 2008-a. Po ashtu, sqarojmë se këto mjete trajtohen dhe investohen sikurse të gjitha mjetet e fondit pensional prej momentit që paguhen në FKPK. Kjo nënkupton se kurdo që identifikohen ato e realizojnë edhe fitimin nga investimet.