Trusti grumbullon 740 milionë euro
Prishtinë, 9 janar - Më shumë se 8 milionë e 400 mijë euro, i ka shpërndarë gjatë vitit që lamë pas Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK), në formë të pensioneve për qytetarët kontribuues që kanë mbushur 65 vjeç.
Por, shuma e mjeteve të shpërndara për çdo vit, vazhdon të jetë shumë minimale në raport më mjetet që për çdo vit grumbullon TKPK-ja.
Zëdhënësi i TKPK-së Jeton Demi, thotë se nga të dhënat jo përfundimtare deri në fund të vitit 2012, fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës kishte rreth 740 milionë euro nën menaxhim.
Sipas tij, gjatë vitit 2012 janë 3284 kontribuues që kanë fituar të drejtën e pensionit, ku vlera e mjeteve që u janë shpërndarë është rreth 8.4 milionë euro.
Pensionin e kanë tërhequr varësisht nga mjetet e akumuluara në llogarinë e kursimeve pensionale, apo për shkak të vdekjes së kontribuuesit: në tërheqje me faza ose në një pagesë të vetme. Pra janë 3284 të pensionuar në 2012 dhe prej tyre 1960 të pensionuar e kanë tërhequr pensionin në një pagesë të vetme, tha ai.
Zyrtarë të TKPK-së thotë se aktualisht janë tri mundësi të tërheqjes së parave të kursyera nga paga për çdo muaj. Sipas tyre, paratë mund të merren kur kontribuuesi mbush 65 vjet, por po ashtu merren edhe në rast të vdekjes se kontribuuesit, apo edhe nëse ai mbetet invalid për tërë jetën.
Kur kontribuuesi arrin moshën për pensionim, varësisht nga bilanci i llogarisë, do të tërheqë të gjitha paratë përnjëherë, ose do ti tërheqë në faza. Nëse bilanci i llogarisë së kontribuuesit është deri 2000 euro, kontributet do të tërhiqen përnjëherë, nëse bilanci është mbi 2000 euro, kontributet e kursyera do të tërhiqen në faza, thonë zyrtarë të TKPK-së.
Sipas tyre, nëse kontribuuesi vdes para moshës për pensionim, familja e të vdekurit mund të trashëgojë shumën e plotë të kursimeve të akumuluara, pasi që një gjë e tillë lejohet sipas Ligjit për Fondet Pensionale në Kosovë, Rregullores 25 të Bankës Qendrore të Kosovës dhe Ligjit për Trashëgiminë.
Ndërkaq, nëse kontribuuesi e dëshmon pranë Departamentit të Administratës Pensionale se është bërë i paaftë për punë, atëherë kontribuuesi do të ketë të drejtë ti tërheqë kursimet e veta pensionale edhe para moshës së pensionimit.
Po ashtu, zyrtarë nga TKPK-ja thonë se nëse qytetarët e Kosovës kanë grumbulluar në fondin e trustit më shumë se 2 mijë euro, atëherë sipas tyre në bazë të ligjit aktual ata në formë të pensionit për çdo muaj do të marrin nga 1 për qind.
Nëse një qytetar ka grumbulluar në fondin e trustit 10 mijë euro, atëherë ai për 100 muaj rresht në formë të pensionit do të marrë nga 100 euro në muaj. Ndërsa kur shpenzohet shuma e mjeteve të grumbulluara, atëherë qytetari që ka kontribuar nuk do të ketë fare pension nga TKPK-ja.