TRUST-i rrit të hyrat për 145 milionë euro
Prishtinë, 15 nëntor - Kryesuesi i Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), Ymer Havolli, ka deklaruar se FKPK-ja në fillim të vitit 2013 ka pasur në menaxhim 740 milionë euro. Havolli ka thënë se në tetor të vitit 2013 i ka nën menaxhim 885 milionë euro.
Sipas tij, kjo rritje prej 145 milionë eurosh është rezultat i kthimit bruto në investim prej 59 milionë eurosh dhe kontributeve të reja 100 milionë euro. Ai ka thënë se në bankat komerciale të Kosovës TRUST-i ka pasur mjete të investuara, mirëpo tani interesimi i tyre është më i ulët.
Havolli në një intervistë për gazetën Epoka e re\", ka deklaruar se mjete nën menaxhim janë 885 milionë euro.
\"Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës në fillim të vitit 2013 ka pasur në menaxhim 740 milionë euro. TRUST-i në muajin tetor të vitit 2013 ka në menaxhim 885 milionë euro. Kjo rritje prej 145 milionë eurosh është rezultat i kthimit bruto në investim prej 59 milionë eurosh dhe kontributeve të reja 100 milionë euro. Për këtë periudhë Fondi ka pasur dalje prej 14 milionë eurosh, prej të cilave 9.1 milionë janë tërheqje kursimesh të pensionimeve të 2 500 kontribuuesve\", ka theksusr ai.
Sipas tij çmimi i njësisë në tetor 2013 është 1.1964 euro. Vitin e kemi filluar me 1.1170 euro. Kjo do të thotë se neto performanca e fundit për vitin 2013 për investimin e mjeteve pensionale është 7.1 %.
\"Qëllimi kryesor i investimeve është se së pari të ruhet vlera reale e kontributeve duke bërë investime të matura.. Qëllimi tjetër është që, duke u mbështetur në këtë qasje të matur, të maksimizohet kthimi nga këto investime. Është një strategji e Fondit të Kursimeve Pensionale që i ka dhënë stabilitet Fondit në operimin e tij në tregjet financiare\", ka deklaruae ai.
\"Kështu që, jo vetëm e kemi tejkaluar inflacionin, i cili, thënë realisht, është mjaft i ulët, 0,2 për qind shtator 2012-shtator 2013, por kemi kthimin neto gati 7 për qind mbi nivelin e inflacionit\", ka theksuar ai.
Duke shtuar se FKPK-ja edhe këtë vit pritet të ketë performancë të kënaqshme nga investimet. Deri tani kthimi nga investimet për vitin 2013 është rreth 59 milionë euro, paraprirë me rreth 54 milionë euro që ishin më 2012.
Sipas Havollit Bordi Drejtues e ka vlerësuar si të drejtë propozimin për të kaluar nga shkalla e diversifikimit të riskut investues në shkallën e menaxhimit të riskut investues. Kalimi në strategjinë e menaxhimit të riskut investues do të krijojë mbrojtje shtesë për amortizimin e rënies së vlerës së mjeteve të investuara nga rëniet eventuale të tregjeve financiare.
Sipas tij kjo nevojë bëhet edhe më serioze po ta marrim parasysh faktin se FKPK tashmë menaxhon gati 860 milionë euro, e dëmi eventual nga rënia e tregjeve do të ishte dukshëm më i madh sesa kur vlera e mjeteve në menaxhim ishte më e vogël\", ka deklaruar Havolli.
Kurse për punë me menaxherët të cilët i menaxhojnë mjetet e Fondit të Kursimeve Pensionale, Havolli ka bërë të ditur se në mbledhjen e Bordit, e cila është mbajtur muajin e kaluar, është marrë vendim të ndryshohet politika e investimeve, e cila përcakton më rigorozisht riskun si faktorin domethënës të vendimmarrjes së investimeve.
\"Kalimi në strategjinë e re të menaxhimit të riskut investues kërkon angazhimin e menaxherëve të rinj të mjeteve dhe, si rrjedhim, edhe shtimin e buxhetit për investimin e mjeteve. Kjo strategji e menaxhimit të riskut gjithsesi është më e shtrenjtë sesa strategjia aktuale e diversifikimit të riskut, njëkohësisht është më pak risk e më shumë siguri për kontribuuesit. Bordi Drejtues i FKPK-së është i mendimit se rritja e sigurisë së mjeteve të investuara të kontribuuesve të FKPK-së përligj rritjen e kësaj kostoje për investimin e mjeteve\", ka theksuar ai.
Sipas tij për taksën menaxhuese para dy ditësh kemi kërkuar nga Kuvendi i Kosovës miratimin e taksës menaxhuese si vijon: 1) për taksën investuese 0.40 %, 2) për taksën operacionale 0.13 për qind. Në vazhdën e kësaj jemi në kërkim të fondeve të reja investuese që do ti përshtaten politikës së re. Për këtë do tju njoftojmë në fillim të vitit të ardhshëm.
\"Në Kosovë kemi investuar në fletobligacione gjithsej 26 milionë euro të reja gjatë vitit, krahas atyre që kanë qenë të investuara. Normat janë mesatarisht rreth 1.7 % të investuara. Pra, borxhi që Buxheti i Konsoliduar i Kosovës ua ka kontribuuesve të Trustit është 38 milionë euro. Tani jemi në çdo tender të këtyre fletobligacioneve. Pra, për aq sa kemi hapësirë ligjore lidhur me instrumentet financiare, jemi duke marrë pjesë me këto investime\", ka theksuar ai.
Sipas tij kriza e Senatit amerikan ishte sinjal frikësues për shumë investitorë për kohën derisa u arrit një kompromis në tetor. E gjithë kjo pasiguri i rriti kërkesat për aksione dhe uli kërkesën për bono të thesarit amerikan.
\"Me të arritur marrëveshja, e cila do të kalojë në shkurt, tregjet në përgjithësi u stabilizuan. Por pas vitit të ri pritet të ketë ngadalësim të konsumit. Me rritje të ngadaltë globale ekonomike, të paraparë për vitin 2014 si dhe me indekset kryesore botërore në pikun e tyre historik, Bordi pret një vit pozitiv 2014, por jo kaq të mirë sikur viti 2013\", ka pohuart ai.
Havolli ka theksuar se në bankat komerciale të Kosovës kemi pasur mjete të investuara, mirëpo interesimi i tyre tani është më i ulët, sigurisht se kanë likuiditet të mjaftueshëm.(\"EPOKA E RE\")