Trump i dërgon Kongresit një projekt-buxhet prej 4 trilion dollarë
Washington, 13 shkurt - Presidenti amerikan, Donald Trump po i dërgon Kongresit një projekt-buxhet prej 4 trilion dollarësh, që parashikon fonde për një mur në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara dhe për konsolidimin e ushtrisë, por që pritet të rrisë defiçitin federal me mbi 1 trilionë dollarë.
Plani nuk përfshin 400 miliardë dollarë të tjera në shpenzime për dy vjetët e ardhshëm që u miratuan nga Kongresi dhe u nënshkruan nga Presidenti të premten e kaluar, në një marrëveshje që i dha fund një mbylljeje prej disa orësh të qeverisë.
Projekt-buxheti po bëhet publik njëkohësisht me një nismë të infrastrukturës, prej 200 miliardë dollarësh.
Propozimi i Presidentit është në thelb një listë sugjerimesh për ligjvënësit. Kushtetuta amerikane i jep Kongresit kompetenca ekskluzive për të përcaktuar fondet federale dhe komisionet e Kongresit për buxhetin, shpesh nuk i marrin parasysh kërkesat presidenciale.
“Ky është një projekt-buxhet nga presidenti dhe nuk do të thotë aspak që është pranë formës përfundimtare të ligjit. Është një tregues se cilat do të jenë përparësitë e administratës së Presidentit Trump në vitin në vazhdim, por nuk është detyrim për Kongresin që të veprojë”, thekson Jacob Kirkegaard, studiues i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare.
Drejtori i Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney tha se propozimi përfshin 23 miliardë dollarë për sigurinë e kufirit dhe masat e rendit për imigracionin, përfshirë 18 miliardë dollarë për një mur në kufirin me Meksikën. Në një deklaratë, zoti Mulvaney tha se plani do të siguronte “një mbrojtje kombëtare të fuqishme dhe të rindëruar”.
Sipas marrëveshjes për buxhetin dyvjeçar që u arrit javën e kaluar nga Kongresi, Pentagoni do të marrë 700 miliardë dollarë për vitin 2018, një shifër rekord.
“Ne po kujdesemi për ushtrinë, më mire se gjithkush para nesh”, tha zoti Trump të hënën.
Ndryshe nga projekt-buxheti që zoti Trump bëri publik vitin e kaluar, plani i këtij viti nuk premton balancimin e financave federale, duke iu larguar kështu një objektivi që Republikanët e kanë pasur gjithmonë.
Edhe zoti Mulvaney, e pranoi këtë javë se nëse do të ishte ende në Kongres, ai nuk do të kishte votuar për legjislacionin.
Por zoti Mulvaney, që prej kohësh ka shprehur kundërshtimin ndaj defiçiteve në buxhet tha të dielën në një intervistë se puna e tij tani është “që të përpiqet për zbatimin e programit të Presidentit”.