Trump emëroi Jerome Powell si kreun e ri të Bankës Qendrore amerikane
Washington, 3 nëntor - Presidenti Donald Trump emëroi Jerome Powell si kreun e ri të Bankës Qendrore amerikane.
Presidenti e njoftoi zyrtarisht vendimin dje pasdite në Shtëpinë e Bardhë.
"Mendoj se do të mbeteni jashtëzakonisht të impresionuar nga ky person!" tha presidenti përmes një postimi në Twitter sot në mëngjes.
Zoti Powell do të zëvendësojë kreun e tanishëm të Rezervës Federale Janet Yellen, mandati i së cilës skadon në fillim të vitit të ardhshëm.
Jerome Powell është aktualisht një nga guvernatorët e Rezervës Federale. Analistët thonë se ai është një republikan i qendrës, i cili duket të jetë i prirur të vazhdojë strategjinë e ngritjes graduale të normave të interesit të ndjekur deri tani nga Rezerva Federale.
Ndërsa Powell pritet të vazhdojë qasjen e kujdesshme të ndjekur nga zonja Yellen ndaj rritjes së normave të interesit, ekonomistët thonë se ai mund të zbusë disa nga rregullat financiare të hartuara për të parandaluar një krizë tjetër financiare si ajo që shkaktoi kaos në tregjet e aksioneve gjatë recesionit të vitit 2007-2008.
Presidenti Trump është ankuar se këto rregulla dëmtojnë bankat dhe rritjen ekonomike. Zonja Yellen, e cila u zgjodh si kryetare e Rezervës Federale nga Presidenti Barak Obama, ka qenë një mbrojtëse e hapur e rregullave financiare më të forta që hynë në fuqi në 2010.