Trojka mbërri në Greqi për ecurinë e ekonomisë greke
Athinë, 11 qershor - Vetëm pak ditë pas publikimit të një raporti nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar në të cilën u pranuan gabimet mbi planin e rimëkëmbjes ekonomike të Greqisë, përfaqësues të kreditorëve ndërkombëtarë kanë mbërritur në Athinë.
Zyrtarët e Trojkës, e përbërë nga BE,-ja, FMN-ja dhe BQE-ja kanë nisur menjëherë bisedimet me Ministrin e Financave, Yannis Stournaras mbi ecurinë e ekonomisë greke për gjysmën e parë të këtij viti.
Qëllimi i vizitës së tyre është të vlerësojnë progresin në frontin ekonomik dhe të rifillojnë bisedimet me qeverinë greke mbi çështjet që kanë mbetur ende pezull, duke përfshirë privatizimet, uljen e TVSH-së për prodhimet ushqimore, taksën e pasurive të patundshme si dhe shkurtimet e 4 mijë punonjësve në sektorin publik deri në fund të vitit.
Ekonomia në vendin helen pritet që të tkurret nga 4.2 % deri në 4.6 % këtë vit dhe të rritet me 0.6 në 2014-ën sipas parashikimeve të Komisionit Europian dhe fondit Monetar Ndërkombëtar.