Trishe: Largimi i Greqisë nga eurozona, ide absurde
Bruksel, 5 mars - Presidenti i Bankës Qëndrore Evropiane, Zhan Klod Trishe, deklaroi se do të ishte absurde të flitej për largimin e Greqisë nga eurozona.
Komentet e Trishesë erdhën në kohën kur kriza greke vazhdon dhe qeveria nuk ka përjashtuar mundësinë e ndihmës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Mbi 300 demonstrues pushtuan hyrjen e Ministrisë së Financave në Athinë për të treguar kundërshtimin e tyre me masat e qeverisë. Qeveria greke ka shpallur një numër masash që do të mund të zbusnin defiçitin buxhetor, masa që kundërshtohen nga sindikatat.
Plani i qeverisë për tu përballur me krizën parasheh shkurtimin e fondeve për sektorin publik, përfshi shkurtimin e përfitimeve financiare që parashihte deri tani ligji si dhe rritjen e taksave mbi alkoolin dhe duhanin. Pasditen e sotme parashihet një protestë masive e punonjësve.