Tri projektligje kusht për sigurime shoqërore me Zvicrën
Prishtinë, 11 nëntor - Grupi punues ndërqeveritar për koordinimin e aktiviteteve për negocimin e marrëveshjes së re ndërshtetërore të sigurimeve sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Zvicrës mbajti takimin e tretë radhazi, i cili ka mandatin të koordinoj të gjitha aktivitetet që përshpejtojnë procesin e negocimit të marrëveshjes së re në mes këtyre dy shteteve.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me hapat e gjertanishëm që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës dhe organet tjera kompetente, konform rekomandimeve të dala nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Një nga rekomandimet e dala nga Kuvendi i Kosovës, nga 8 sa janë gjithsejtë, si kusht për përmbushjen e detyrimeve për të pasur një marrëveshje të re për sigurime shoqërore me shtetin zviceran ka qenë edhe hartimi dhe përfundimi i tri projektligjeve të rëndësishme, me të cilat do të rregullohej çështja e sigurimeve sociale dhe shëndetësore në Republikën e Kosovës e që janë: Projektligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, Projektligji për Fondet Pensionale në Kosovë dhe Projektligji për Sigurimet Shëndetësore.
Sipas kryesuesit të këtij grupi punues, Fadil Racaj, projektligjet e përmendura janë në fazën përfundimtare të shqyrtimit, por ende ekzistojnë disa pengesa për arsye të implikimeve buxhetore të këtyre akteve ligjore në buxhetin shtetëror të Kosovës.
Sipas Racaj dhe anëtarëve të tjerë të këtij grupi, këto projektligje shumë shpejt do të jenë të gatshme për procedim në Qeverinë e Kosovës, me këtë do të plotësohej edhe kushti substancial për fillimin e negocimit të marrëveshjes së re në mes Kosovës dhe Zvicrës.
Gjithashtu në këtë takim u debatua edhe vendimi i Gjykatës Administrative Federale të Zvicrës, i nxjerrë më 7 mars 2011, sipas apelimit të një shtetasi të Kosovës, i cili kishte aplikuar për pension invalidor në dhjetor të vitit 2005 pranë Zyrës së Sigurimit Invalidor për të siguruarit jashtë Zvicrës.
Pas nxjerrjes së vendimit nga gjykata, Enti Federal i Zvicrës ka njoftuar institucionet tona që vendimi i gjykatës së përmendur nuk ndryshon qëndrimin për vlefshmërinë e vendimit të Këshillit Federal Zviceran për mosvazhdimin e marrëveshjes së sigurimeve shoqërore e lidhur në mes ish-Federatës Jugosllave dhe Zvicrës në raport me Kosovën.