Tri kushtet që duhet të plotësojë Greqia për të marrë këstin e radhës
Athinë, 11 shkurt - Të mërkurën e ardhshme do të takohen përsëri ministrat e financave të Eurozonës, me qëllim që të vendosin për ndihmën e re ndaj Greqisë, bëri të ditur nga Brukseli kreu i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker.
Juncker sqaroi se para mbledhjes së të mërkurës, Greqia duhet të përmbushë tre kushte kryesore:
- Miratimin deri të dielën të marrëveshjes për kredinë e re.
- Të sigurohen kursime shtesë me vlerë 325 milionë euro për vitin 2012.
- Liderët politikë të japin garanci të fuqishme për zbatimin e programit ekonomik.
Siç raporton AMNA, nënkryetari i qeverisë greke dhe ministër i financave, Evangjelos Venizelos, apeloi ndaj forcave politike të vendit që të bëjnë atë që është e nevojshme, me qëllim që të mërkurën e ardhshme që do të mblidhet përsëri Eurogrupi, të jenë përmbushur kushtet për miratimin e programit të ri të ndihmës ndaj Greqisë.
Momentet janë kritike për vendin dhe kërkojnë përgjegjësi dhe vetëm përgjegjësi nga të gjithë. Gjithçka tjetër nuk ndihmon, deklaroi zëdhënësi i qeverisë greke Pandelis Kapsis.
Duke iu referuar punimeve të Eurogrupit, Kapsis vërejti se siç doli dhe nga mbledhja e sotme e Eurogrupit, jemi ende në mesin e rrugës që duhet të përshkojmë
kemi arritur shumë, por duhet bërë shumë më tepër.
Preokupacioni ynë kryesor sot është të garantojmë implementimin e kësaj marrëveshjeje. Hapi i parë do të jetë votimi nga ana e parlamentit, që do të nënkuptojë edhe angazhimin e partive ndaj objektivave dhe politikave të programit të ri ekonomik, shtoksoi zëdhënësi i qeverisë.