19 Nëntor 2024

“Trepça” dhe “Ferronikeli”, mundësi të larta të zhvillimit ekonomik

Albuena S. MAVRAJ

Prishtinë, 23 janar - Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Nexhat Hasani, ka thënë se produktet kosovare sa i përket nivelit të cilësisë janë të barabarta me produktet e vendeve të rajonit.

Por, sipas tij, problem të madh paraqet moscertifikimi i bizneseve në bazë të standardeve evropiane dhe se bizneset kosovare përballen me problemin për përmbushjen e standardeve të administrimit të cilësisë ISO dhe HACC.

“Duhet një angazhim i institucioneve që të bëhet një rregull se si ata duhet të certifikohen, në mënyrë që kur të bëhet një certifikim i tillë, në mënyrë automatike produktet të jenë të pranueshme në tregun evropian”, ka thënë Hasani në këtë intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka bërë me dije se Shoqata e Eksportuesve është duke e bërë një hulumtim në këtë drejtim dhe se nga fundi i janarit apo mesi i shkurtit do ta ketë një takim me një kompani gjermane, e cila merret me certifikimin e kompanive dhe do të mbahet një konferencë treditëshe me ekspertë, të cilët do t’i vizitojnë kompanitë dhe do t’i informojnë se cilat janë dobësitë e këtyre kompanive, çfarë u mungojnë që të jenë në tregun perëndimor. Hasani marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Turqinë e ka quajtur hap të ngutshëm nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Epoka e re”: Z. Hasani, si po funksionon shoqata juaj dhe cili është roli i saj?
Hasani: Kemi një grup të kompanive të cilat e paguajnë anëtarësinë. Jetojmë nga ai anëtarësim, nga disa donacione dhe konferenca që i organizojmë në kuadër të disa projekteve në bazë të disa kritereve, të cilat janë të caktuara nga Bashkimi Evropian. Caktojmë një shumë monetare për anëtarësim, nga 100 deri në 2 000 euro, e që përcaktohet në bazë të numrit të punëtorëve që ka kompania. E kalojmë vitin me 20 deri në 30 mijë euro, prej të cilave e paguajmë një zyrë dhe dy bashkëpunëtorë të jashtëm. E kemi një marrëveshje me Kolegjin Universitar “UNIVERSUM”, me ç’rast i angazhojmë disa studentë të bëjnë hulumtime. Me projekte dhe me anëtarësim përpiqemi ta kalojmë vitin.

“Epoka e re”: Cili është roli i Shoqatës së Eksportuesve në mes të bizneseve dhe tregjeve?


Hasani: I informojmë kompanitë rreth tregjeve vendore, regjionale dhe evropiane. Kryesisht merremi me hulumtimet se çfarë duhet të eksportojmë në tregjet evropiane dhe cilat tregje kanë nevojë për produktet tona. Kemi pasur takime me disa vende të Bllokut të Lindjes, të cilat kanë kërkesa të mëdha për verat e Kosovës. I kemi informuar prodhuesit vendorë se ata duhet të orientohen kah tregu i Lindjes për eksport, sepse në Perëndim veçse janë të plotësuara kuotat dhe kërkohet cilësi e lartë. Në Bllokun e Lindjes mund të kalojnë verat kosovare, të cilat kanë një kualitet pak më të ulët dhe i përshtaten atij tregu. Ne i informojmë kompanitë kur organizojmë takime, konferenca me kompani të ndryshme dhe kemi një memorandum bashkëpunimi me Doganën e Kosovës. Thërrasim nga një zyrtar doganor, i cili vjen e jep informacione rreth procesit të eksportit. Por, shoqata jonë i ka disa sfida në gjetjen e blerësve potencialë, analizave dhe hulumtimeve, si dhe me ngritjen e kualitetit.

“Epoka e re”: A janë të përafërta kualitetet e prodhimeve vendore me ato të vendeve të rajonit?


Hasani: Me shumë përgjegjësi them se janë të përafërta. Tregu në Maqedoni ka bërë një avancim në vera dhe në përgjithësi në produktet e biznesit, por edhe produkteve tona në bazë të cilësisë dhe gjërave të tjera që ndikojnë në kualitetin e prodhimeve, mendoj se u ofrohen produkteve të rajonit.

“Epoka e re”: Cilat janë problemet kryesor të bizneseve të cilat adresohen te ju?


Hasani: Problemet kryesore janë çështja e tregjeve dhe mosstandardizimi i kompanive vendore. Ne kemi problem me përmbushjen e standardeve të administrimit të cilësisë ISO dhe HACC. Ne kemi gjetur një model si të certifikohen, mirëpo ky është një rast unik vetëm për kompanitë metalpërpunuese. Duhet të gjendet një asociacion që merret me certifikim dhe të jetë i pranuar në nivelin e Bashkimit Evropian. Në marrëveshjen e fundit me Shqipërinë është thënë se prodhimet e Kosovës dhe Shqipërisë do të jenë të vulosura nga të dyja shtetet, mirëpo unë dyshoj nëse do të jetë ajo vulë e pranuar për tregun evropian, ndërsa sa ai përket tregut regjional besoj se do të jetë e pranuar, mirëpo në nivel të Bashkimit Evropian këto gjëra nuk kalojnë. Ne jemi duke bërë një hulumtim dhe nga fundi i janarit apo mesi i shkurtit do ta kemi një takim me një kompani gjermane, e cila merret me certifikimin e kompanive si dhe do të mbahet një konferencë treditëshe me ekspertë, të cilët do t’i vizitojnë kompanitë dhe do t’i informojnë se cilat janë dobësitë e atyre kompanive, çfarë u mungon të jenë në tregun perëndimor. Problem tjetër është edhe pakoja fiskale, me të cilën ende përballemi, pastaj qe dy vjet është përmendur heqja e doganës për lëndën e parë dhe prodhimet e teknologjisë. Por, ende asgjë konkrete.

“Epoka e re”: Mendoni se kompanitë vendore i plotësojnë kushtet për certifikim?


Hasani: Ka kompani të cilat i plotësojnë kushtet, por ka edhe të tilla që me keqardhje them se nuk i plotësojnë kushtet. Ato duhet të punojnë më shumë në ngritjen e cilësisë në bazë të standardeve evropiane. Duhet angazhim i institucioneve që të bëhet një rregull se si ata duhet të certifikohen në mënyrë që, kur të bëhet një certifikim i tillë, në mënyrë automatike produktet do të jenë të pranueshme në tregun evropian.

“Epoka e re”: Ka një hendek në mes të eksportit dhe importit. Cilat janë hapat që duhet të merrem në këtë drejtim?


Hasani: Deficiti tregtar është i papranueshëm dhe i papërballueshëm, pasi Kosova me vite përballet me të. Vitin e kaluar kishte një ngritje të eksportit, por nuk ishte në nivel të kënaqshëm. Duhet të merren masa urgjente në këtë drejtim. Hapi i parë është zëvendësimi i importeve, sidomos nga fusha e agrobiznesit, me ç’rast shumë produkte, të cilat vijnë nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria, t’i zëvendësojmë me prodhime vendore. Pastaj janë industria metalike dhe ajo e drurit, me të cilat kemi përvojë të mirë në këtë lëmë. Kemi një kompani nga Ferizaj, e cila prodhon karrige për tregun amerikan. Më kanë informuar që së shpejti do të kenë eksport edhe në tregun e Mbretërisë së Bashkuar dhe në Kanada. Mendoj se me një projekt të mirë prej 300 deri në 400 milionë eurosh, në fushën e agrobiznesit dhe bujqësisë, do mund t’i zëvendësonim 300 apo 400 milionët e importit.

“Epoka e re”: Mendoni se importi i vendeve të Lindjes po e rrezikon prodhimtarinë vendore? 


Hasani: Vendet e regjionit na dëmtojnë më shumë sesa vendet e Lindjes. Këto vende janë në kuadër të CEFTA-s. Ne nga këto vende marrim lëndë të parë që vjen pa doganë dhe TVSH. Marrëveshja e CEFTA-s nuk ka qenë shumë e favorshme për Kosovën, pasi më shumë u ka ndihmuar shteteve të rajonit të eksportojnë në Kosovë sesa ne të kemi eksporte në ato vende.

“Epoka e re”: Thoni se ka qenë hap i ngutshëm nënshkrimi i marrëveshjes së CEFTA-s?


Hasani: Po, ka qenë hap i ngutshëm, po ashtu edhe marrëveshja e parë me tregun e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Edhe marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë ka qenë hap i ngutshëm. Kosova është një prej vendeve që ka liberalizim më të madh të tregtisë, jo vetëm me vendet e rajonit, por në përgjithësi me vendet e BE-së. Ne më së paku përfitojmë prej tyre. Shumë herë kemi pasur importe nga vendet e regjionit me afate të skaduara. Kam pasur rast kur i kam deklaruar rastet e tilla në Qeveri, në USAID dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Është biseduar dhe i është dhënë vërejtje Doganës që ta ketë parasysh që gjatë importit ta bëjë një verifikim të detajuar, pasi ka pasur rast kur janë importuar edhe barëra me afat të skaduar. Ky problem është sensibilizuar, por nuk kemi laboratorë dhe agjenci të cilat merren me verifikime.

“Epoka e re”: Cilat janë planet dhe rekomandimet e Shoqatës së Eksportuesve për vitin 2014? 


Hasani: Do t’i sensibilizojmë problemet të cilat i kanë kompanitë dhe do të trokasim në dyert e Qeverisë për t’u dhënë informacione të detajuara në mënyrë që të zgjidhen problemet e prodhuesve vendorë. Do të insistojmë që marrëveshje të tregtisë së lirë, të cilat nënshkruhen aq lehtë, ta kenë interesin e marrëveshjeve të dyanshme, e jo vetëm interesin e importit. Rekomandoj të themelohet një institucion, i cili do të merret me certifikimin e bizneseve në mënyrë që kur të përgatitemi për të hyrë në BE, t’i kemi kriteret e certifikimit të plotësuara dhe ta kemi mundësinë e eksportimit. Deri më tani neve na shikojnë në mes gishtave, mirëpo kur të hymë në fazën për t’u pranuar në BE, këto do të jenë kritere shumë strikte.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)