18 Nëntor 2024

Treguesit Gjeografikë dhe Emërtimet e Origjinës në Kosovë

Prishtinë, 6 mars - Agjencia e Pronësisë Industriale në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ne bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë organizoi seminarin për “Treguesit Gjeografikë dhe Emërtimet e Origjinës”.

Seminarin e hapi znj. Flutra Hoxha, drejtoresh e përgjithshme e API-së, e cila foli për rolin e agjencisë si institucioni përgjegjës për regjistrimin e Treguesve Gjeografikë dhe Emërtimeve të Origjinës. Hoxha më tej shpjegoi kompletimin e legjislacionit primar dhe sekondar që mbulon këtë fushë. 

“Falënderoj institucionet relevante në fushën për treguesit gjeografikë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin e tyre të dhënë në procesin e hartimit dhe kompletimin legjislacionit për tregues gjeografikë në Kosovë”, tha ajo në hapje të seminarit.

Në emër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë foli Valdet Gjinovci, kryeshef i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Gjinovci shpjegoi se si Agjencia e Ushqimit është autoriteti kontrollues dhe verifikues për produktet që mbrohen me tregues gjeografikë dhe emërtimet e origjinës.

“Institucioni ynë është i gatshëm të kontribuojë më tutje në avancimin dhe zhvillimin e mëtejmë të këtyre të drejtave”, tha Gjinovci.

Seminari vazhdoi me prezantimin e Veli Hoti, nga Agjencia e Pronësisë Industriale. Hoti bërë një prezantim të shkurtë për treguesit gjeografikë dhe emërtimet e origjinës në aspektin ndërkombëtar dhe evropian. Fokusi kryesor i prezantimit të tij ishte prezantimi i ligjit për Treguesit Gjeografikë dhe Emërtimet e Origjinës, si dhe të dy udhëzimet administrative për procedurat dhe tarifat administrative për regjistrimin e treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës.

Ylber Kuqi nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i cili foli për Treguesit Gjeografikë dhe marrëdhëniet e tyre karshi verërave, ndërsa  Flamur Kadriu nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i cili foli për rolin dhe kontrollimin e sigurisë së produkteve të cilat mund të mbrohen me tregues gjeografikë.

Seminari përfundoi me një diskutim konstruktiv duke elaboruar produkte e ndryshme kosovare që mund të mbrohen me tregues gjeografikë dhe emërtime të origjinës.

Pjesëmarrës në këtë seminar, përveç institucioneve të lartpërmendura, ishin prodhuesit e verërave, prodhuesit e produkteve tjera bujqësore që potencialisht mund të mbrohen me tregues gjeografikë ose emërtime të origjinës.

Në Kosovë Ligji Nr.04/L-187 për Treguesit Gjeografikë dhe Emërtimet e Origjinës është miratuar në dhe ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2013. API po ashtu ka miratuar Udhëzimin Administrativ, nr. 05/2014, për Procedurat e Regjistrimit të Treguesve Gjeografikë dhe Emërtimeve të Origjinës dhe është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2014 për tarifat administrative të regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)