Trazirat politike në Itali rrezikojnë të krijojnë krizën bankare
Banka Monte dei Paschi, në Siena pretendon të jetë një nga bankat më të vjetra në botë që ka mbijetuar por e ardhmja e saj ndodhet në rrezik.
Banka ishte në vështirësi shumë kohë përpara referendumit të së dielës dhe synimi i saj për të mbledhur 5.4 milion dollarë kapital u zbeh për shkak të trazirave politike.
Shumë analistë parashikojnë shtetëzimin e saj në ditët që vijnë.
Brenda një periudhe të shpejtë mund të jetë e vështirë për ta të rrisin kapitalin me të cilën duhet të mbulojnë kreditë e këqija. Megjithatë asgjë nuk ka ndryshuar në situatën bankare që prej mbatjes së referendumit, thotë Luigi Scazzieri i Qendrës për Reformë Evropiane.
Italia shpreson se likuiditeti do të qetësojë nervat e investitorëve në bankat e vendit, të cilët po ushqejnë kreditë e këqija me një total prej 390 miliard dollarësh.
Kostoja e huamarrjes së vendit është rritur gjithashtu që prej mbatjes së referendumit.
Sigurisht kjo është një sfidë për Italinë dhe euron në përgjithësi por ne duhet të shtojmë se tashmë Bashkimi Evropian dhe Banka Qëndrore Evropiane janë më të pajisur të përballen me një problem të mundshëm sesa ishin 5 vite më parë. Kemi një Bankë Qendrore Evropiane që luan rolin e saj, kemi një Mekanizëm Evropian Stabiliteti, të aftë për të shpëtuar Italinë nëse do të nevojitet, thotë Yves Bertoncini i Institutit Jacques Delors.
Presidenti ka thënë se do të përpiqet të shmangë zgjedhjet e parakoshme por pasiguria politike rrezikon të vendosë kundër Italisë sjelljen e tregjeve.
Pasigurisë mbi kornizën kushtetuese dhe ligjin zgjedhor tashmë i shtohet dhe pasiguria mbi qeverinë. Pra mund të themi se Italia po hyn në një periudhë pasigurie, thotë Giovani Orsian i Universitetit Luiss Guido Carli, në Romë.
Lëvizja Pesë yjet opozitare që kryeson sondazhet publike po kërkon zgjedhje të parakohshme dhe një votim për tu larguar nga euro. Por analistët thonë se është e ekzagjeruar frika që Italia do të largohet prej politikës së përdorimit të monedhes unike, në kushtet kur ligjet e reja zgjedhore imponojnë qeverisje në koalicion.
Ligji i ri do të bazohet me shumë gjasë në një sistem proporcional. Një sistem i tillë do ta bëjë të vështirë për parti të vetme si lëvizja pesë yjet të fitojë pushtetin në zgjedhjet e radhës. Sigurisht ata po kërkojnë një referendum për euron. Por kjo në fakt është anikushtetuese, thotë Luigi Scazzieri i qendrës për reformë evropiane.
Sipas analistëve, në Itali dhe Evropë shpresohet që një tranzicion i qetë politik do të ndihmojë të shmanget një fund i stuhishëm në një vit trazirash politike.