Tranzicioni, pengesë për avancimin e gruas kosovare
Dubrovnik, 18 maj - Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe kryetarja e AGK-së, Donika Kadaj-Bujupi mori pjesë në Konferencën e VII Rajonale të Europës Juglindore me temën Punësimi i grave dhe sipërmarrja femërore në vendet e Europës Juglindore, nikoqir i së cilës ishte Gender Task Force GTF nga Dubrovniku i Kroacisë.
Gjatë fjalës së saj, zonja Kadaj-Bujupi prezantoi gjendjen e gruas në Kosovë në sferën ekonomike, politike, pastaj legjislacionin përkatës si dhe mundësit e sfidat e progresit të gruas në përgjithësi.
Ajo përmendi faktin se përfaqësimi institucional i gruas në Kosovë është më i larti në rajon, me 30 %, dhe si të tillë ajo e vlerësoi këtë përfaqësim të kënaqshëm, ndërsa vuri theksin tek gjendja diskriminuese e femrës sa i përket punësimit në sektor të tjerë, jashtë institucioneve, sidomos në sektorin privat, si dhe mungesën e ligjit të punës nga i cili ligj do të përfitonin të gjitha shtresat e punonjësve dhe veçanërisht gratë.
Kadaj tha me këtë rast se për dallim prej vendeve të tjera të rajonit përparësia e Kosovës është që ne filluam nga e para andaj adaptuam ligjet konform standardeve Europiane dhe si rezultat gratë e Kosovës përfaqësohen në Institucionin më i lart ligjvënës, në Parlament, me 30%, për dallim prej vendeve të tjera të rajonit ku ky numër është shumë më i vogël.
Në kuadër të kësaj - shtoi ajo - në Parlament funksionin një Grup Lobues shumë i konsoliduar i cili përbehet prej grave parlamentare të të gjitha partive dhe grupeve etnike, grup ky, i cili ishte shumë këmbëngulës në krijimin e mekanizmave gjinor të cilat ndikuan në avancimin e gruas në Kosovë.
Sa i përket ligjeve, ajo përmendi që në këtë fazë ligji i punës ku rregullohet edhe çështja e pushimit të lehonisë, e që afekton të drejtën e gruas në punësim, është në procedurë e sipër.
Kadja sqaroi se Ligji zgjedhor dhe Ligji i partive politike po ashtu janë pjesë e planit të këtij grupi. Ajo përmendi faktin se si pasoj e luftës, tranzicionit dhe problemeve të dala gjatë konsolidimit të shtetit, siç janë sfidat e funksionimit të rendit dhe ligjit si dhe korrupsioni i cili si sindrom i Ballkanit ka afektuar edhe Kosovën, është vështirësuar progresi i gruas në sferën e punësimit, pastaj ngecja e investimeve etj. Andaj, sipas saj, Kosova vazhdon të ketë papunësinë më të madhe në Europë dhe në këtë aspekt më së shumti është e prekur gruaja.
Mbi 50% e grave në Kosovë janë të papunë ndërsa ato që punojnë mesatarja e pagës së tyre është rreth 200 euro, u shpreh deputetja Kadaj-Bujupi. Ajo përmendi faktin se gratë e zonave rurale janë më të diskriminuarat në këtë drejtim, ndërsa shtoi se diaspora vazhdon të jetë investuesi apo donatori më i madh në Kosovë.
Gjatë kësaj konference, ku qenë të pranishme përfaqësuese nga vende të ndryshme të gjithë rajonit, u arritën disa konkluzione të përbashkëta:
- Kriza ekonomike globale është kah fundi i saj, ndërsa Qeveritë duhet të hartojnë politika të reja të cilat do të përkrahin zhvillimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme;
- Gratë janë potenciali më i madh i kapitalit njerëzor, i pashfrytëzuar nga shtetet përkatëse në rajon;
- Specifikat e grave gjatë zhvillimit të sipërmarrjeve të tyre dallojnë nga ato të meshkujve;
- Zbatimi i ligjit të trashëgimisë është problem Rajonal; si dhe
- Nuk mund të ketë avancim të gruas pa politika stimuluese çoftë përmes ligjeve më të mira por edhe fondeve të veçanta.