Transparenca për menaxhim me paratë publike do të rritet
Prishtinë, 29 janar - Ministri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave janë të përkushtuara që me reformat e nisura të rrisin edhe më shumë transparencën dhe kredibilitetin e sistemit për menaxhim me paratë publike.
Duke folur në takimin e institucioneve relevante për hartimit të Planit të Veprimit për Menaxhimin e Financave Publike, ministri Beqaj ka theksuar se hartimi i planit të veprimit, për përmirësim të mëtutjeshëm të praktikave për menaxhim të financave publike tregon përkushtimin për vazhdimin e reformave të nisura, për të rritur edhe më shumë transparencën dhe kredibilitetin e sistemit për menaxhim me paratë publike
Ne jemi të vetëdijshëm se ka hapësirë për përmirësim, dhe së bashku me të gjithë ju, duke përdorur raportin e vlerësimit PEFA 2013, do të hartojmë planin e veprimit për përmirësimin e të gjitha atyre fushave që përmes këtij raporti janë identifikuar si fusha me mundësi për përmirësim në të ardhmen, ka thënë ministri Beqaj.
I pari i Ministrisë së Financave ka theksuar se kjo ministri me përkrahjen e USAID-it do të jetë shumë e hapur për të reflektuar komentet dhe rekomandimet që do ti merr në mënyrë që Plani i Veprimit për menaxhimin e financave publike, të jetë gjithëpërfshirës dhe i zbatueshëm
Siç besoj jeni të informuar, ky raport është i treti me radhë që nga viti 2007, ndërsa procesi për përgatitjen e raportit të PEFA 2013, për herë të parë është drejtuar nga Qeveria e Kosovës, me përkrahje të USAID-it.
Me vendim të Qeverisë së Kosovës është iniciuar rishikimi i shpenzimeve publike, duke pasur për qellim matjen e progresit të reformave të aplikuara që nga viti 2009, kur është bërë vlerësimi i fundit PEFA, dhe zhvillimeve mbi politikat, praktikat dhe sistemet e Menaxhimit të Financave Publike (MFP) nga ajo kohë.
Gjithashtu qellim tjetër është të kontribuojë në përgatitjen e një plani të azhurnuar të veprimit mbi reformën e Menaxhimit te Financave Publike, dhe identifikimin e fushave që kërkojnë përmirësime të mëtutjeshme, dhe të shërbejë si platformë dialoguese me donatorët, me qëllim të kanalizimit të asistencës së jashtme, ka thënë ministri Beqaj.
Ministria e Financave, bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës ka themeluar Sekretariatin PEFA, i cili ka kryer vlerësimin e indikatorëve bazuar në metodologjinë e aplikueshme ndërkombëtarisht dhe notimi i këtyre indikatorëve për vitin 2013 është bërë mbi bazën e të gjeturave në teren përmes takimeve, dokumentacioneve në dispozicion si dhe sistemeve të të dhënave.
Krahasuar me raportin e PEFA-s 2009, raporti për vitin 2013 tregon se Qeveria ka pasur një progres mjaft të mirë në drejtim të përmirësimit të praktikave për menaxhimin e financave publike.
Prandaj, marrë si tërësi, mund të themi se si rrjedhoje e vazhdimit të reformave substanciale, ky raport pasqyron një përmirësim të ndjeshëm në shumë fusha të menaxhimit të financave publike të Qeverisë, ka thënë ministri Beqaj.