19 Nëntor 2024

Top ngjarjet ekonomike 2013

Prishinë, 1 janar - Ekonomia e Kosovës, sikur në vitet e kaluara, edhe në vitin 2013 ka pasur ritmet e zhvillimit, por edhe ngecje në fusha të ndryshme. Ngjarjet kryesore që e kanë përshkuar vitin 2013 në ekonomi.

Autostrada e Kombit “Ibrahim Rugova”


Autostrada “Ibrahim Rugova”, e cila ka marrë epitelin si “Rruga e Kombit”, është lëshuar në qarkullim në vitin 2013. Kjo autostradë i ka kushtuar buxhetit të Kosovës qindra milionë euro dhe e ka afruar Kosovën më afër se kurrë me Tiranën. Tash këto dy kryeqytete përshkohen për tri orë udhëtim. Standardet e projektit të Autostradës në Kosovë janë TEM (Trans European Motorway): Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës në Kosovë është 120 km/orë, aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të miratohet një shpejtësi e projektit prej 140 km/orë.


Autostrada Morinë - Prishtinë do të jetë autostradë e sistemit të mbyllur (hyrje-daljet vetëm në kyçjet e autostradës). Gjerësia prej 28 metrash, ku do jenë katër shirita qarkullues me nga 3.75 m, 2 shirita për ngadalësim me nga 3.0 m si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash. Autostrada në Kosovë do të ketë mbikalime, nënkalime dhe të gjitha pajisjet e rrugës ku përfshihen: Sinjalizimi dinamik, sistemet e komunikimit, ndriçimi në udhëkryqe dhe barrierat kundër zhurmës.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”


Edhe pse viti 2013 kosovarët i gjeti të izoluar në mungesë të liberalizmit të vizave, një gjë pozitive për ta është arritur këtë vit. Terminali i ri i Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” është tashmë i përfunduar. Ai do t’i lidhë Kosovën dhe botën si një aeroport modern, i cilësuar si më moderni në rajon. Në lëshimin e tij ishin të pranishëm edhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama. Aeroporti i Prishtinës i është dhënë me koncesion një kompanie turko-franceze, Limak-Calik, për 20 vjet.

Energjia

Është bërë kalimi i kompetencave për distribuimin te Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS). Edhe pse ka blerë kompaninë që ka miliona borxhe të grumbulluara, ajo nuk ka mundur t’i mbledhë borxhet, duke e marrë parasysh se shumica e borxheve janë vjetruar, por edhe një pjesë e borxheve janë të enklavave serbe në Kosovë.

Telekomunikacioni

Sa i përket telekomunikacionit, viti 2013 do të mbahet mend për dështime dhe arritje. Dështime konsiderohen mosprivatizimi i PTK-së dhe moszhvillimi i VALA-s me produkte të reja, por kompania private telekomunikuese IPKO lëshoi në vitin 2014 platformën 3G, e cila do të jetë shumë më e shpejtë se interneti i zakonshëm në telefona mobilë.
Kosova edhe në vitin 2013 ka shfrytëzuar prefiksin telefonik të Serbisë +381 për telefoni fiks, kurse dy kodet e tjera, të Monako Telekomit +377 dhe atë të Sllovenisë +386 për IPKO.
Shumë qytetarë u bllokuan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i përuruar në kohë fushate, për shkak të falimentimit të kompanisë ajrore “Belle Air”.

Banka dhe privatizimi

Gjatë vitit 2013 në Kosovë nisi punën edhe një bankë e re, por ndikimi i saj nuk ishte për t’u theksuar në uljen e kamatave të kredive, që vazhdojnë të jenë shumë të larta në krahasim me fuqinë ekonomike të qytetarëve. Ekspertët i kanë kritikuar institucionet, të cilat ua kanë plotësuar shumë kërkesa bankave, por nuk i kanë detyruar asnjëherë këto të fundit t’i ulin kamatat.
Sistemi financiar në vend, pavarësisht sfidave, ka pasur rezultate. Edhe në vitin 2013 bankat kanë vazhduar të japin kredi me norma të larta të interesit. Një arritje në subjektivitetin e Kosovës në vitin 2013 është se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka filluar zyrtarisht lidhjen në SWIFT dhe përdorimin e kodit SWIFT të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, me arsyetimin për shkaqe familjare, por në të vërtetë ishte gara për guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës. Opozita dhe shoqëria civile nuk e mbështeti zgjedhjen e tij, por FMN-ja e ka vlerësuar këtë kalim si hap që ndodh në shumë vende botërore.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është duke punuar pa bord të plotë, pas largimit të një anëtari ndërkombëtar, që pasoi pastaj në dorëheqjen e kryetarit të atëhershëm të bordit, Blerim Rexha.

Bashkëpunimi rajonal

Në tetor bisedat me Serbinë kaluan edhe mes shoqatave të bizneseve. Gjatë këtij muaji Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda e Tregtisë dhe Industrisë e Serbisë janë marrë vesh për vazhdim të bashkëpunimit, me qëllim të eliminimit të barrierave mes dy vendeve. Marrëveshja është nënshkruar në dhjetor, në prani të dy kryeministrave.
Gjatë shtatorit Kosova dhe Maqedonia mbyllën kufijtë. Ishte qeveria e shtetit fqinj që kishte marrë vendim për moslejim të futjes së miellit nga vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën. Pas kalimit të afatit të përcaktuar për heqje të masës së ndalesës, Qeveria e Kosovës ia ktheu në të njëjtën mënyrë. Ky vendim nisi luftën e bllokimit nga të dy qeveritë. Shumë qytetarë u përballen me probleme të mëdha. Kjo bllokadë u evitua pas disa ditësh.


Në dhjetor hyri në fuqi zhdoganimi i mallrave në dy pikat në veri të vendit, Jarinjë dhe Bërnjak. Nga paratë e mbledhura, pjesa më e madhe e tyre do të shkojnë në konton e Fondit për Zhvillimin e Veriut 


Epoka e re

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)