Tirana ndan 100 mijë euro për rindërtim në veri të Mitrovicës
Mitrovicë, 21 dhjetor - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka ndërmarrë hapa konkretë për të jetësuar premtimin e tij për të ndihmuar rindërtimin në veri të Mitrovicës.
Këtë premtim ai e kishte bërë në shtator gjatë një takimi në Tiranë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.
Me atë rast kryebashkiaku Basha, kishte premtuar ndarjen e rreth 100 mijë eurove për procesin e rindërtimit në veri të Mitrovicës, ku Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Mitrovicës, janë duke punuar për krijimin e kushteve për kthimin e të zhvendosurve.
Karshi kësaj së fundi Basha, ka marrë vendim që për vitin 2013 Bashkia e Tiranës të ndaj 100 mijë euro për rindërtim në veri.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, e ka përshëndetur vendimin e kryebashkiakut Basha, të cilin e ka falënderuar përzemërsisht.
E vlerësoj dhe shpreh mirënjohjen më të thellë për vendimin e kryebashkiakut Basha që të ndihmoj rindërtimin që kemi nisur në veri për të krijuar kushte për kthimin e të gjithë të zhvendosurve pa dallim etnik në shtëpitë e tyre.
Kryetari Kastrati, theksoi se mbështetja e Bashës dhe Bashkisë së Tiranës është tepër e rëndësishme meqë do të ndikoj pozitivisht që edhe komunat e Kosovës si dhe njësitë tjera të pushtetit vendor në Shqipëri të ndihmojnë këtë projekt të rëndësishëm.
Në radhë të parë është një projekt humanitar, meqë shumë njerëz që 14 vjet pas luftës vazhdojnë të jetojnë nëpër strehimore kolektive.
Ai tha se deri me tani në veri janë rindërtuar rreth 150 shtëpi, përderisa nevoja ende mbetet shumë e madhe që ky proces të mbështetet për të krijuar kushte që të kthehen të gjithë në shtëpitë e veta.