TI rendit Kosovën në vendin e 105 në luftën kundër korrupsionit
Republika e Kosovës ka shënuar përmirësim të lehtë në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik për vitin 2012.
Në renditjen e Transparency International (TI) sa i përket Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për këtë vit Kosova vendoset në vend të 105, duke u ngjitur shtatë vende në këtë listë.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova mban pozitë më të avancuar vetëm ndaj Shqipërisë, e cila renditet në vendin e 113-të.
Shqipëria ka pësuar rënie të madhe nga viti i kaluar, kur është renditur në pozitën numër 95.
Me një vlerësim më të dobët sivjet përballet edhe Mali i Zi, duke rënë nga vendi i 66-të, ku ka qenë vitin e kaluar, në vendin e 75-të.
Nga vendet e rajonit, përmirësime kanë shënuar edhe Kroacia, nga pozita numër 66 në venedi numër 62, Bosnja nga 91 në 72 dhe Serbia nga 86 në 80.