Thirrje për ide biznesi
Prishtinë, 5 shtator - Thirrja e gjashtë për aplikim me ide biznesi për në inkubatorin e ICK-së është lansuar më 26 gusht dhe do të qendroj e hapur deri më 12 shtator.
Për tu bërë pjesë e inkubatorit të Innovation Centre Kosovo (ICK) mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit që kanë ide inovative të bazuara në teknologji informative.
Thirrja e gjashtë për ide biznesi është një mundësi për të gjithë të interesuarit që ti shndërrojnë idetë e tyre komerciale në biznes fitimprurës si dhe të zgjerojnë biznesin e tyre aktual.
Të gjithë të interesuarit duhet të aplikojnë online që të garojnë për të fituar mbështetje për biznesin e tyre nga inkubatori i Innovation Centre Kosovo (ICK). Inkubatori i mbështet ndërmarrësit me mentorim, konsultim, trajnime dhe duke ofruar qasje në zyre dhe ambiente të tjera.
Innovation Centre Kosovo (ICK) është një qendër e pajisur për ndërmarrësi dhe zhvillim biznesi, e përqëndruar në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK), duke përfshirë kompjuterë, aplikacione për softuer, internet, aplikacione për celularë dhe për ueb, databaza, etj.
Mundësi aplikimi kanë të gjithë ata që duan që të nisin biznesin e tyre, e që kanë ide të shkëlqyeshme të bazuara në TIK me potencial në treg. Poashtu mund të aplikojnë edhe ata që kanë kompani ekzistuese më prani më pak se dy vjet në treg, që kanë një produkt ose shërbim inovativ dhe duan ta zgjerojnë biznesin e tyre.
Innovation Centre Kosovo (ICK) është themeluar me qëllim që të mbështesë ndërmarrësinë, inovacionin dhe zhvillimin e bizneseve të bazuara në komercijalizëm, me përqëndrim në teknologji të informacionit dhe komunikimit. Qendra mbështet si kompanitë e sapo nisura ashtu edhe ato ekzistuese të cilat kanë potencial të rritjes.
ICK do të krijojë vende të reja pune përmes bizneseve të cilat i përkrah dhe do të ofrojë trajnime për të rinjtë për punë në tregun më të gjërë.
Innovation Centre Kosovo ofron shërbime të inkubimit, mentorimit dhe trajnimit të ndërmarrësve dhe menaxherëve në planifikimin e bizneseve, kontabilitet, financa, zhvillim të produktit/shërbimit, marketingut/shitjes, burime njerëzore, zhvillimin dhe transferimin e teknologjisë si dhe kontakte me biznese lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.
Athene Prosjektledelse, Norvegji dhe Shoqata për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) në Kosovë, janë themeluesit e ICK-së, ndërsa Crimson Capital LLC Kosovë, është partneri kryesor bashkëpunues. ICK financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.