Themelohet Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane
Prishtinë, 26 qershor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane.
Ky vendim është mbështetur në propozimin e Grupit Punues të themeluar nga Qeveria për të shqyrtuar mundësit dhe procedurat e themelimit të kësaj zone.
Themelimi i kësaj Zone të Veçantë Ekonomike do të ketë një rëndësi të madhe për ofrimin e kushteve të nevojshme për investimin e kompanive të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu do të mundësojë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe rritjen e punësimit.
“Themelimi i Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane, përkon me 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dëshmon përkushtimin e Kosovës për të thelluar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj.
Zyra e Kryeministrit do të koordinoj gjithë procesin e themelimit të Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane, sipas propozimit të Grupit Punues, në bashkëpunim me institucionet tjera kompetente.
Përzgjedhja e lokacionit në Komunën e Gjakovës është bazuar në faktin se ky lokacion plotëson kushtet e hapësirës, mbi 500 hektar, si dhe përparësitë tjera, si kyçja direkt në magjistralen Gjakovë-Prishtinë, qasje e lehtë në Autostradën e Dukagjinit, afërsia me aeroportin e Gjakovës, por edhe të Prishtinës.
Me qëllim të realizimit të projektit, pas miratimit të vendimit nga Qeveria e Kosovës, do të përgatitet memorandumi i bashkëpunimit me palën amerikane, hartimi i studimit të fizibilitetit për procesin dhe përzgjedhja e një operatori ekonomik për realizimin e të gjitha aktiviteteve të nevojshme për themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike.