16 Janar 2025

Themelohet Komisioni profesional ndërministror për pensionet

Prishtinë, 25 mars - Nën drejtimin e Kryeministrit Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka aprovuar dy koncept dokumente, ka themeluar Komisionin profesional ndërministror për pensionet, si dhe ka aprovuar dy vendime për mbështetje financiare të aktiviteteve kulturore për nderë të ditëve të komunitetit turk dhe atij rom në Kosovë.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se java e fundit ka qenë mjaft aktive dhe dinamike për Republikën e Kosovës në kuptimin politik dhe diplomatik, si dhe të afirmimit të shtetit të Kosovës.

“Ne kemi marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papës së ri. Në këtë inaugurim shteti i Kosovës ka qenë i trajtuar si vend i pavarur dhe sovran, është trajtuar në kuptimin më afirmativ si shtet. Prandaj, edhe një herë konfirmojmë përkushtimin tonë që të punojmë ngushtë me Vatikanin, në mënyrë që të lëvizë njohja e shpejtë edhe nga Vatikani për pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

“Gjatë qëndrimit në Romë jemi takuar me zëvendëspresidentin e SHBA-së, Biden. Në takim  kemi diskutuar për progresin e arritur në Kosovë, për reformat që po i ndërmerr shteti i Kosovës, për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë të ri, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të saj, për njohje të reja që po i vijnë Republikës së Kosovës, për gatishmërinë e Kosovës për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, e në kuadër të kësaj edhe me Serbinë, për marrëdhëniet bilaterale të shkëlqyeshme në mes të shtetit të Kosovës dhe SHBA-së” ka thënë kryeministri Thaçi.

“Takimi në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, ka qenë takimi i shtatë me radhë dhe ka qenë një takim maratonik. Takimi është përcjellë me gatishmërinë për të lëvizur përpara, ka shënuar progres, por nuk ka marrëveshje. Presim që me 2 prill të tregohet vullnet i mirë, përgjegjësi për rrethanat, kushtet dhe ambientin e ri që jetojmë në rajon dhe Serbia të kuptojë dhe respektojë rrethanat e reja, të tregojë gatishmërinë e saj për fqinjësi të mirë edhe me Kosovën, të tregojë gatishmërinë e saj për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Ky do të jetë edhe parakusht i domosdoshëm që Kosova edhe Serbia, si shtete sovrane, të lëvizin drejt strukturave euroatlantike dhe integrimit në NATO dhe BE, ndërsa për Kosovën edhe në OKB”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij hyrëse.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se “për Kosovën, pozicionet janë jashtëzakonisht të qarta. Respektimi i plotë i Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të saja, Ligji për Vetëqeverisje Lokale, dokumentin e presidentit Ahtisari me të gjitha standardet më të larta evropiane”.

Kryeministri ka vlerësuar edhe takimin e zhvilluar në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Andreas Fogh Rassmunsen.

Kryeministri ka informuar kabinetin qeveritar edhe për pjesëmarrjen në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe ka thënë:

“Në të njëjtën kohë, siç edhe e dini, të premten është mbajtur mbledhja e radhës së Këshillit të Sigurimit, ku edhe unë edhe kryeministri i Serbisë, kemi prezantuar opinionet tona për zhvillimet e fundit në rajon. Dua të potencoj që në fillim se është për të çmuar lartë përpjekja e vazhdueshme e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon i cili i jep mbështetje të plotë angazhimeve tona për paqe, stabilitet, për progres, por edhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë” tha Thaçi dhe shtoi:

“Gjatë prezantimit tonë, ne kemi arritur që të afirmojmë të arriturat tona, të tregojmë zotimet tona që kemi pasur më herët, por edhe të implementimit të agjendës që e kemi realizuar. Ne e vlerësojmë lartë rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, dhe natyrisht si një bazë që ka qenë për bërjen e Kosovës së pavarur dhe sovrane”.

Më tej, Kryeministri Thaçi ka thënë se “gjithashtu kemi falënderuar OKB-në edhe për lehtësimin e negociatave për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës në vitet 2005-2007, pra me nxjerrjen e Pakos së Ahtisaarit si bazë për shpalljen e Kosovës së pavarur dhe sovrane, si reflektim kushtetues dhe politik i Kosovës, gjithashtu më në fund edhe me konfirmimin e ligjshmërisë rreth shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të datës 22 korrik 2010”.

“Ne kemi potencuar në Këshillin e Sigurimit që Kosova është e vendosur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke respektuar gjithmonë vullnetin e qytetarëve të vendit, dhe të gjitha dokumentet valide legale që i kemi në fuqi, por gjithmonë duke menduar në përgjithësi edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha kryeministri Thaçi.

“Zhvillimet e brendshme në Kosovë janë karakterizuar me stabilitet politik dhe ekonomik. Mund të them lirisht se Këshilli i Sigurimit i jep mbështetje të plotë takimeve në Bruksel, dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe arritjen e një marrëveshje eventuale që do t’ua lehtësojë edhe shumë shteteve tjera të OKB-së, por edhe të vetë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, pozicionin në raport me Kosovën që edhe Kosova të njihet më tepër vendeve të OKB-së”, u shpreh Thaçi. 

“Në të njëjtën kohë, duke përmendur progresin, në veçanti me përmbylljen e suksesshme të mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës, unë për herë të parë në emër të institucioneve të Kosovës dhe vullnetit të qytetarëve të Kosovës, kam prezantuar kërkesën në kuptimin e pjesëmarrjes tonë në Këshillin e Sigurimit, që në të ardhmen e afërt, Këshilli i Sigurimit të OKB-së të përgatis dhe të miratoj një rezolutë të re, e cila do ta bëj Kosovën anëtare të barabartë të OKB-së , si një shtet i paqes, dhe i gatshëm të respektoj dhe përgjegjësitë ndërkombëtare”, tha kryeministri.

“Mund të them lirisht se ka qenë një frymë pozitive e të gjithë miqve dhe partnerëve tanë në Këshillin e Sigurimit, por një qasje në e rezervuar e oponentëve të pavarësisë së Kosovës, në veçanti pas rolit të përgjegjshëm dhe pozitiv të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe progresin dhe reformat demokratike që i kemi shënuar në Kosovë” theksoi kryeministri Hashim Thaçi, duke përfunduar informimin e tij për prezantimin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Koncept dokumentin për hartimin e Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe Koncept Dokumentin për hartimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Zbatimi i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm dhe akteve nënligjore, që kanë dalë në bazë dhe për zbatimin e tij, ka hasur në vështirësi nga si nga ana e stafit të Ministrisë po ashtu edhe nga anëtarët e shërbimit në Misione Jashtë vendit.

Këto vështirësi konsistojnë në mospërputhje dhe kundërshti të rregullimeve ligjore, që përmbajnë dispozitat e Ligjit të Shërbimit të Jashtëm dhe aktet nënligjore në raport me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe aktet nënligjore që derivojnë nga ky Ligj.

Për korrigjimin e të metave të vëna re në ligj, me këtë koncept dokument rekomandohet hartimi i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. Ndryshimet e parashikuara do të përmirësojnë nenet ku janë vënë re vështirësitë për zbatimin e këtyre dispozitave të përmendura.

Ligji për Ministrinë e Punëve të  Jashtme të Republikës së Kosovës shënoi kurorëzimin e përpjekjeve disavjeçare të Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Shërbimit Diplomatik dhe Shërbimit Konsullor.

Ministria e Punëve të Jashtme ka plotësuar në masë të madhe kornizën e nevojshme ligjore, ka nxjerrë aktet përkatëse  nënligjore dhe fillimin e zbatimit të rregullimeve ligjore të parashikuara në ligj.

Zbatimi i Ligjit ka hasur në vështirësi nga ana e stafit të ministrisë dhe nga anëtarët e Shërbimit të Jashtëm në Misione. Janë hasur në vështirësi,  dhe jo rrallë, është krijuar kolizion i normave, mesë çështjeve të rregulluara me legjislacion e Shërbimit Civil dhe Legjislacionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Për korrigjimin e të metave të vëna re në ligj, me këtë koncept dokument propozohet hartimi i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjin për Ministrinë e Punëve të  Jashtme të Republikës së Kosovës. Ndryshimet e parashikuara do të përmirësojnë nenet ku janë vënë re vështirësitë për zbatimin e dispozitave të cilat rregullojnë çështjet e lartpërmendura.

Me rekomandimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës më 28 shkurt 2013,  është kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të formohet një Komision Profesional, i cili do të mbledhë dokumentacionin dhe do të ofrojë këshilla juridike falas për të gjithë pensionistët që kërkojnë kompensimin  nga Serbia për kontributet e dhëna pensionale.

Qeveria ka themeluar Komisionin Profesional Qeveritar të Republikës  së Kosovës për çështjen e pensioneve të pensionistëve kosovarë, të cilët kërkojnë kompensim nga shteti i Serbisë për mospagesën e pensioneve nga vitet ’90.

Komisioni është themeluar në këtë përbërje:

1.      Sami Salihu, Drejtor i DAP në MPMS  - kryesues i komisionit

2.      Isuf Ajeti, Drejtor i ZRP-Gjilan  - anëtar i komisionit

3.      Fadil Rracaj, drejtor i DL në MPMS  - anëtar i komisionit

4.      Muhamet Gjocaj, drejtor i DMS në MPMS - anëtar i komisionit

5.      Lulzim Karaxha, drejtor i DKPIE në MPMS -  anëtar i komisionit

6.      Adil Fetahu, BPIP të Kosovës  - anëtar i komisionit

7.      Mazllum Baraliu, rektor i UP-Prizeren  - anëtar i komisionit

8.      Hasan Berisha - anëtar i komisionit

9.      Musa Limani, përfaqësues i SP - anëtar i komisionit

10.  Përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit - anëtar i komisionit

11.  Përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë  - anëtar i komisionit

12.  Përfaqësues i Ministrisë së Integrimeve Evropiane  - anëtar i komisionit

13.  Përfaqësues i Minsitrisë së Punëve të Jashtme - anëtar i komisionit

14.  Përfaqësues i Trustit Pensional të Kosovës  - anëtar i komisionit

15.  Përfaqësues i Fakultetit Juridik të UP të Prishtinës - anëtar i komisionit        

Ky Komision do të hulumtojë dokumentacionin përkatës I cili mund të shërbej si fakte për kompensimin e pensionistëve kosovarë nga shteti serb, do të hartojë dhe përgatis dokumente për palën kosovare në dialog me Beogradin, do të bashkërendojë punë  me organet vendore dhe ekspertët ndërkombëtarë për çështjen e pensioneve.

Komisioni gjithashtu do të ofrojë këshillime falas për të gjithë pensionistët që kërkojnë kompensimin nga Serbia për kontributet e dhëna pensionale me qëllim të inicimit të procedurave për njohjen e të drejtës në kompensim, në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe në organe tjera të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare.

Kabineti qeveritar ka ndarë 22.50 euro për mbështetjen e manifestimeve që do të zhvillohen për nderë të 23 prillit, Ditës së komunitetit turk në Kosovë. 

Gjithashtu kabineti qeveritar ka ndarë 15.000 euro për të përkrah realizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore për nderë të 8 prillit Dita e komunitetit Rom në Kosovë.

Mjetet e lartpërmendura  do të sigurohen nga buxheti i Zyrës për Komunitete.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar është themeluar një Komisioni qeveritar me qëllim që mbikëqyrë procedurat e kalimit të Aeroportit Ushtarak të Gjakovës, nga Ministria e Mbrojtjes së Italisë te Qeveria e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)