18 Nëntor 2024

Themelohet komisioni i Fondit për punësim dhe zhvillim

Prishtinë, 23 maj - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar mbledhjen e radhës, në të cilën ka shqyrtuar vendime dhe dokumente tjera të politikave qeveritare nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Vendimi i parë  i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, është themelimi i komisionit ndërqeveritar i cili do të kryej analizat përkatëse për themelimin e Fondit për punësim dhe zhvillim.

Komisioni do ketë këtë një Përfaqësues nga Ministria e Financave, kryesues, dy përfaqësues nga Ministria e Financave, anëtarë, një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, një përfaqësues nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë e Republikës së Kosovës, një përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, një përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, një përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe një përfaqësues nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë;

Komisioni Qeveritar mund të ftoj edhe përfaqësues tjerë nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga sektori i Biznesit të cilit mund t’i kontribuojnë zhvillimit të fondit.

Në mbledhje është aprovuar Projekt Strategjia për Rregullim më të Mirë 2014 – 2020. Strategjia synon uljen e kostove përmes reformave të suksesshme rregullative, e cila realizohen përmes rregullimit më të mirë, thjeshtimin e rregullave ekzistuese, dhe ndërtimin e institucioneve.

Strategjia për rregullim më të mirë dhe futja e metodologjisë së vlerësimit të ndikimit rregullativ janë të lidhura ngushtë me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të dhëna në Vizionin Ekonomik të Kosovës 2011-2014.

Plani i Veprimit të Vizionit Ekonomik të Kosovës thekson prioritetet në sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe synon përveç tjerash, përmirësimin e procesit të hartimit të legjislacionit dhe rregullativës, rritjen e mundësive për ofrimin e të dhënave për publikun dhe analizimin e ndikimit të Qeverisë në këto procese.

Politika e shëndoshë rregullative përmirëson sistemin ligjor dhe kapacitetin administrativ, që mundëson:

    analizimin e kushteve ekzistuese;
    transparencën e procedurës së zhvillimit dhe zbatimit të legjislacionit dhe
    identifikimin e zgjidhjeve alternative rregullative.

Gjashtë fusha të përmirësimit të kornizës rregullative të BE-së janë përfshirë në këtë Strategji:

1.      Vlerësimin e Ndikimit Rregullativ - Si një nga mjetet në procesin e reformës rregullative, VNR përfaqëson një metodë që mundëson zbatimin efikas të politikave mbi bazën e fakteve të dëshmuara dhe ofron një kornizë për shqyrtim të problemit dhe duke siguruar zgjidhje adekuate. Analiza e kostos - përfitimit ose përdorimi i modelit të kostos standarde është një tjetër mjet që përdoret për të përmirësuar cilësinë rregullative.

2.      Shqyrtimi i mundësive përkatëse – hartuesi  e politikave duhet të marrin parasysh të gjitha opsionet e mundshme dhe të zgjedhin atë që është më e përshtatshëm për rrethanat e caktuara.

3.      Konsultimet – Komponenti i konsultimit publik është i integruar në Vlerësimin e Ndikimit Rregullativ, i cili mundëson që palët e interesuara të luajnë një rol aktiv në procesin e vendimmarrjes.

4.      Thjeshtëzimi - ka një nevojë të vazhdueshme në të gjitha sistemet për inovacion dhe thjeshtëzim të sistemit ligjor dhe të procedurave administrative që vjetërsohen.

5.      Qasja në legjislacion - të gjithë personave pa dallim duhet t‘ju mundësohet qasja në legjislacion duke përdorur edhe teknologjitë e reja.

6.      Struktura organizative - formimin e strukturave të duhura që do të jenë përgjegjëse për zbatimin e strategjisë së rregullimit më të mirë.

Strategjia ka tri objektiva kryesore strategjike:

1.       Sistemi rregullativ lehtësues - synon krijimin e një sistemi efikas rregullativ që i baraspeshon kostot me përfitimet ekonomike, mjedisore dhe sociale. Ky objektiv synon respektim të parimeve dhe procedurave të Vlerësimit të Ndikimit Rregullativ për të siguruar që i gjithë legjislacioni e plotëson këtë standard.

2.       Zbatimi efikas - trajton sfidën kryesore që i jep formën suksesit të reformave rregullative, përmes bërjes më efektive të procedurave administrative për të mbajtur në minimum barrën e nevojshme administrative për qytetarët dhe biznesin. Aftësia dhe gatishmëria e strukturave administrative duhet të harmonizohet me aspiratat e reformës rregullative duke vendosur përgjegjësi dhe llogaridhënie të qartë, dhe duke zvogëluar mundësitë për korrupsion.

3.       Komunikimi efektiv -  synon forcimin e dialogut, përfshirjen e sektorit privat dhe sigurimi i ndikimit maksimal të tij në proces, me qëllim të arritjes së rezultateve. Komunikimi gjithashtu përfshinë aftësi më të mira të kontaktit me qytetarët në përgjithësi si dhe investitorët dhe analistët.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për rekomandimin e presidentes së Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Financave për të nënshkruar Marrëveshjen në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmirësuar përputhshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel ndërkombëtarë dhe zbatimin e rregulloreve të FACTA-s.

Është miratuar edhe vendimi për themelimin e Task Forcës Ndërinstitucionale për lehtësimin e lëvizjes së personave, mjeteve dhe mallrave në kufirin Kosovë-Shqipëri. Task Forca do të përbëhet nga:

    Drejtorit i Doganave të Kosovës, kryetar
    Kryeshefi Ekzekutiv i Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, anëtarë;
    Drejtori i Departamentit të Kufirit të Policisë së Kosovës, anëtarë;
    Drejtori i Departamentit të Transportit Rrugor i Ministrisë së Infrastrukturës, anëtarë;
    Drejtori i Departamentit të Inspeksionit i Ministrisë së Infrastrukturës, anëtarë.

Në mbledhjet e Task Forcës Ndërinstitucionale, në varësi të çështjeve që trajtohen, ftohen të marrin pjesë edhe përfaqësues të agjencive qeveritare për zbatimin e ligjit.

Kabineti qeveritar ka miratuar plotësim ndryshimin e vendimit që ka të bëjnë me ndryshimin e politikave tatimore me qëllim të lehtësimin e tatimeve për investimet e reja në Kosovë. Kështu për investitorët që investojnë 2 deri në 5 milion euro, dhe punësojnë mbi 50 punëtorë, lirohen nga tatimi për periudhën 5 vjeçare. Ndërsa investimet deri në 2 milion, që punësojnë mbi 30 veta, do të lirohen nga tatimi për periudhën 3 vjeçare.

Me qëllim të mbështetjes së punës së Komisionit Qendror Zgjedhor, në angazhimet për realizimin e suksesshëm të zgjedhjeve të 8 qershorit, Qeveria ka ndarë 350 000 (treqind e pesëdhjetë mijë) euro.

Është miratuar edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik i ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e ish Ndërmarrjes Shoqërore “Rilindja”.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të përhershëm të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat prekën nga ndërtimit i Linjës Energjetike 400 KV Kosovë-Shqipëri, në Segmentin e II-dytë.

Është miratuar edhe vendimi përfundimtar për shpronësimin për interes publik të  pronave të paluajtshme të pronarëve  dhe zotëruesve të interesit cilat preken nga ndërtimi i Linjës Energjetike 400kV Kosovë-Shqipëri, në Segmentin e I-parë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për shpronësimet e pronave të paluajtshme të   pronarëve  dhe zotëruesve të interesit, të cilat  ndodhen në Zonën  Kadastrale Dimce, Komuna Hani i Elezit, e të cilat duhet  të shpronësohen  për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për sigurimin e  lëndës së parë për prodhimin e çimentos.

Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar  nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që të përgatis gjithë dokumentacionin e nevojshëm për themelimin e komunave të reja në: Kijevë, Komoran, Hogosht dhe në Rugovë të Pejës.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi ka kërkuar që mjetet e ndara me Ligjin për Buxhetin të Republikës së Kosovës për Njësinë kundër krimeve Ekonomike në këtë ministri, dhe prokurori special kundër krimeve ekonomike të kalojnë në Këshillin Prokurorial. Qeveria ka miratuar këtë kërkesë.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)