Thellohet partneriteti mes Gjermanisë dhe Kosovës
Prishtinë, 6 qershor - Si rezultat i bashkëpunimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, nesër në Hanover të Gjermanisë do të qëndrojë Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Prof. Dr. Murat Meha për të nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim mes AKK-së dhe Administratës për Kadastër dhe Matje të Landit të Saksonisë së Ulët (LGLN).
Marrëveshja siguron përkrahje afatgjate në zhvillimin e mëtejmë të shërbimit kadastral dhe regjistrit të pronave në Kosovë, respektivisht në fushat e rëndësisë së veçantë që do të caktohen nga AKK-ja.
Fokus të veçantë në këtë marrëveshje janë shkëmbimi i konsulencave për përpunimin e ligjeve ekzistuese, përmirësimi i aftësive menaxhuese të AKK-së dhe ZKK-ve, themelimi i një koncepti për shkollim për sektorët kadastral, ndërtimi dhe zhvillimi i infrastrukturës së gjeo të dhënave, modelimin e të dhënave, etj
Bashkëpunimi mes AKK-së dhe LGLN-së koordinohet nga GIZ-ja gjermane e mandatuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përveç koordinimit, GIZ-ja do të kontribuojë edhe me financimin e përfshirjes së LGLN-së në zhvillimin e kadastrës në Kosovë.
Kohëzgjatja e marrëveshjes është prej tre vitesh, saktësisht deri më 31.12.2013.