Thellohet kriza e borxheve në Evropë
Bruksel, 13 qershor - Kriza e borxheve qeveritare në Evropë duket se po thellohet. Të martën pati një rritje të mëtejshme të kostos së huamarrjes nga Spanja dhe Italia.
Në Spanjë kostoja e huamarrjes arriti në nivelin më të lartë në 13 vjetët që vendi ka përdorur Euron.
Qeveritë evropiane ranë dakord për një paketë ndihmash me vlerën e 125 miliardë dollarëve për bankat spanjolle gjatë fundjavës, por megjithatë, duket se investitorët kanë treguar pak interes për të.
Niveli i interasave për bonot e thesarit të qeverisë spanjolle dhe asaj italiane arritën në 6 për qind, duke ju afruar pikës kur Greqia, Portugalia dhe Irlanda u detyruan të kërkonin paketa ndihmash ndërkombëtare gjatë dy vjetëve të fundit.
Ministrja austriake e financave Maria Fekter e zemëroi Italinë, duke thënë se deficitet dhe borxhet tepër të larta mund ta detyrojnë Romën të kërkojë një paketë shpëtimi. Kryeministri italian Mario Monti i cilësoi komentet e saj tërësisht të papërshtatshme.
Disa analistë të tregjeve thonë se pasiguria për kushtet e paketës së ndihmave për bankat spanjolle kontribuoi në rritjen e interesave të huamarrjes.
Analistët po ashtu thonë se zgjedhjet parlamentare të së dielës në Greqi, rezultati i të cilave është i paparashikueshëm, do të jenë një referendum për vendi, në se ai do të qëndrojë në Eurozonë, apo do të dalë prej andej.