Thellohet bashkëpunimi minerar Kosovë-Shqipëri
Prishtinë, prill - Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi, ka pritur në një takim zëvendësministër i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Gëzim Musabelliu, me të cilin ka diskutuar për thelluar bashkëpunimin në fushën minerare në mes dy vendeve.
Me këtë rast, zëvendësministrja Gashi e ka informuar homologun e saj për të arriturat, respektivisht angazhimin e Qeverisë së Kosovës në fushën minerare si dhe asaj të gjeologjisë.
Në kuadër të reformave ligjore dhe plotësimit të legjislacionit sekondar MZHE, ka paraparë që në sektorin minerar të ketë investime në kapacitete hulumtuese shkencore, të cilat do të ndikojnë në hapjen e perspektivës së re në ngritjen e kapaciteteve të shfrytëzimit, ka thënë Zogaj-Gashi, duke pohuar se bashkëpunimi me Shqipërinë në këtë fushë është i kënaqshëm dhe se dy Qeveritë do të intensifikojnë këtë bashkëpunim.
Sipas saj, prioritet i Qeverisë së Kosovës është mbështetja dhe nxitja e investitorëve në hulumtimin dhe shfrytëzimin e këtyre resurseve.
Numri dy i MZHE-së, duke folur për bashkëpunimin e Shërbimeve Gjeologjike të dy vendeve tha se tashmë ky bashkëpunim po jep rezultatet e duhura.
Bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe atij të Shqipërisë ka sjellë edhe përgatitjen e projektit, i cili është me interes i dy institucioneve për konkurrim në projektin Horizont 2020, të financuar nga Komisioni Evropian, i cili me 5 prill do to paraqitet Komisionit Evropian, është shprehur Zogaj- Gashi.
Ndërsa, nga ana e tij zëvendësministër Gëzim Musabelliu, tha se bashkëpunimi në fushën minerare dhe gjeologjike për dy vendet është i rëndësisë së madhe, i cili do të zhvillonte ekonomitë e dyja vendeve.
Të dyja vendet Shqipëria dhe Kosova, kanë pasuri minerale dhe bashkëpunimi në këtë fushë do të ndihmonte ekonomitë e dy vendeve. Po ashtu duhet shikuar bashkëpunimin edhe në fushën e përgatitjes së kuadrove të reja në dy vendet, është shprehur Musabelliu.
Ndërsa, zëvendësministrja Gashi ka njoftuar z. Musabelliu që tashmë Qeveria e Kosovës ka formuar Komisionin, i cili do të harton projektligjin për Trepçën proces ky i drejtuar nga MZHE.
Ndryshe, dy palët janë dakorduar për intensifikimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushën minerare dhe atë gjeologjike.