Thaçi vlerëson përgatitjen e vendimit për shpalljen e dy zonave të lira ekonomike
Prishtinë, 18 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar lartë përgatitjen e vendimit për shpalljen e dy zonave të lira ekonomike në Gjakovë dhe Mitrovicë. Në mënyrë të veçantë ka falënderuar ideatorin e këtij projekti, zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka vlerësuar se miratimi i vendimit për shpalljen e zonave të lira ekonomike do të ofrojë infrastrukturë, kushte dhe kualitete më të mira për zhvillimin e bizneseve. Presim që ky vendim do të nxisë investitorët vendorë dhe të jashtëm për investime dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli ka shprehur falënderim të veçanet për kryeministrin Hashim Thaçi për mbështetjen që i ka dhënë projektit për krijimin e Zonave të Lira Ekonomike.
Në vazhdim kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për krijimi i zonave të lira ekonomike në Gjakovë dhe Mitrovicë. Zonat e Lira Ekonomike në këto komuna krijohen duke u bazuar në Koncept Planin Kombëtarë për Zhvillimin e Zonave Ekonomike në Kosovë 2014-2018. Zonat do të krijohen me qëllim të tërheqjes së investimeve të huaja dhe vendore, përmirësimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe ngritjes së standardit të jetesës dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar gjithashtu edhe Udhëzimin Administrativ për vendosjen dhe funksionimin e bizneseve në kuadër të Zonave të Lira Ekonomike.
Kryeministri Hashim Thaçi ka propozuar që në funksion të ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, të ndërtohet stadiumi kombëtarë në Prishtinë, të standardeve më të larta. Kryeministri Thaçi ka kërkuar nga ministri Financave dhe ai i Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të fillojnë angazhimin për përfshirjen e këtij investimi kombëtarë në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për miratimin e procesit të nismës së negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe për heqjen e vizave hyrëse për mbajtësit e pasaportave diplomatike, pasaportave të veçanta dhe atyre zyrtare mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kabineti qeveritar kka miratuar vendimin për shpalljen e Ligatinës së Hencit-Radevës Zonë e Veçantë e Mbrojtur e Zogjve. Zona e Veçantë e Mbrojtur e Zogjve Ligatina e Hencit/Radevës, merret nën mbrojtje si tersi hapësinore për shkak të vlerave dhe karakteristikave të veçanta natyrore si: ornitologjike, ihtiologjike, hidrogjeologjike, botanike dhe peisazhore. Zona përfshinë sipërfaqen prej 109 hektarëve e 52 ari e 35 metra katror, dhe shtrihet në territorin e komunave: Graçanicë, Lipjan dhe Fushë Kosovë.
Është miratuar edhe vendimi përfundimtar për shpronësimet dhe vlerësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimet e komplekseve memorialë, Kulla e Zahir Pajazitit në fshatin Orllan, Komuna e Podujevës dhe Kompleksit Memorial të varrezave të dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares në komunën e Gjakovës.